Fëmija i Pavarësisë që nuk mendon të jetoj n’Kosovë

Festën e Pavarësisë së Kosovës, Olti djali im i madh e ka përjetua në barkun tim ngase ishin edhe dy muaj deri në datën e tij të lindjes. Me bindjen që u realizua ëndrra shekullore e shqiptarëve dhe do të vazhdojmë me shtet ndërtimin e Kosovës. Por si po duket gjeneratat e reja po parapëlqejnë një jetë ndryshe nga ajo e Kosovës. Ndër ta është edhe Olti ai që në një të ardhme të afërt nuk e mendon Kosovën si vend për të jetuar.

Edhe pse në moshë kaq të re Olti ka arsye të shumta që mendon se jetën duhet me jetua në një vend tjetër ku si synim e ka Amerikën. Një pjesë të fajin mendoj se për këto mendime të tij e bartim edhe ne prindërit, kjo për faktin se jemi në profesion ku lajmet janë pjesë e jetës. Kur them është rritur me lajme ndihem keq për faktin se jemi të vetëdijshëm me çfarë lajme shoqërohemi çdo dite, ku 90 % e tyre janë negative.

Ndonjëherë mendoj që jam shumë gabim nëse edhe për një herë të vetme vazhdoj ti them që Kosova do të bëhet mirë, kushtet e jetesës do të jenë të mira më një fjalë që do ta kesh një të ardhme të mirë në Kosovë. Sepse kur kthehem e mendoj me këtë shpresë jemi rritur edhe gjenerata jonë, duke na thënë mbi të gjitha që Kosova do ta fitoj pavarësinë më pas gjithçka do të jetë ndryshe. Në fakt asgjë s’po ndryshon për të mirë. Më e mira nga ana ime ndoshta duhet të jetë të paktën mos të insistoj që ai ta mendoj të ardhmen në këtë vend sepse ndoshta edhe ai do të zhgënjehet një ditë si shumë të rinj që sot bredhin rrugëve pa asnjë perspektivë. Të dhemb shpirti kur kaq shumë rini nuk mund t’i ndjekin ëndrrat e tyre as për shkollim ku ata dëshirojnë sepse janë kushtet ekonomike ato që të kushtëzojnë, as për asgjë tjetër. Krejt kjo për shkak të një sistemi të stagnuar i cili nuk jep as shkëndijat më të vogla për një të ardhme të sigurt.

Përfundimisht, më duket se jam bindur që të paktën nuk duhet të vazhdoj të jem unë shpresëdhënëse për fëmijët e mijë që të ndikoj në mendimet për të ardhmen e tyre sa i përket vendit ku duhet të jetojnë. Krejt çka do të bëj është të mundohem maksimalisht në edukimin e tyre deri në kohën kur ata do të jenë të gatshëm të vendosin për vetën e tyre.

Autorja është blogere e rregullt e portalit Ballkani.info. Pikëpamjet e autores do të publikohet çdo javë.