Feim Hoxha: Projektligji për Teatrot në fazën finale, do të ketë funksionim dhe pavarësim financiar

Në një prononcim për Ballkani.info Feim Hoxha nga Ministria e Kulturës, ka folur për projektligjin e Teatrove, i cili së shpejti do të procedohet në Qeverinë e Kosovës, për aprovim.

Hoxha tutje ka treguar se kanë qenë kërkesat e vazhdueshme nga përfaqësuesit e teatrove që të punohet rreth këtij projektligji, i cili do të mundësonte një funksionim më të mirë në teatrot e tyre.

“Qysh në fillim të viti 2018 pas kërkesave të vazhdueshme nga përfaqësuesit e teatrove të qyteteve dhe ankesat e tyre lidhur me problemet që po ballafaqohen në funksionimin e teatrove të tyre. MKRS dhe Ministri Kujtim Gashi, ka filluar hartimin e koncept dokumentit për teatrot i cili pastaj është dërguar dhe aprovuar në Qeverinë e Republikes së Kosovës. Pas aprovimit të këtij koncept dokumenti MKRS ka emëruar ekipen punuese për hartimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për teatrot”, ka treguar Hoxha.

Në këtë ekip që e kryeson Feim Hoxha, janë pjesëmarrës të gjithë akterët e mundshëm duke përfshirë aktor asociacione të teatrove, artist të pavarur përfaqesues të institucioneve qendrore dhe lokale si dhe ekspert të ndryshëm.

Ai tregon që projektligji është në fazën finale dhe se përmes këtij projektligji synohet që të rregullohet një qëndrueshmëri financiare, për teatrot e qyteteve si dhe të gjithë aktorët dhe punonjësit tjerë të këtyre teatrove të futen në lista të rregullta të pagave

“Tani ky projektligj është në fazën finale dhe i njëjti gjatë muajve në vazhdim do t’i procedohet Qeverisë së Republikës se Kosovës për aprovim. Me këtë projektligj po synohet që të rregullohet një qëndrueshmëri financiare për teatrot e qyteteve si dhe të gjithë aktorët dhe punonjësit tjerë të këtyre teatrove të futen në lista të rregullta të pagave. Ka mendime të ndryshme se a duhet që këto institucione të kalojnë në kuadër të MKRS-së apo të mbetë në kuadër të komunava, kjo mbetet të vendoset në ditët në vazhdim. Me aprovimin e këtij Projektligji Teatrot do të kanë një qëndrueshmëri financiare si dhe atyre do tu krijohen edhe nënkodet buxhetore të cilat u sigurojnë një pavarësi financiare”, ka përfunduar Hoxha./Ballkani.info/