Federata Franceze i kërkon falje Shqipërisë për gafat me intonimin e himnit

Presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, Noel Le Graet, i ka shkruar letër presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës, duke i kërkuar falje për gafat para fillimit të ndeshjes mes këtyre dy Kombëtareve.

Franca e mposhti Shqipërinë të shtunën e kaluar, në stadiumin “Stade de France”, me rezultat 4-1. Megjithatë, Federata Franceze e Futbollit mbeti e turpëruar nga një incident që ndodhi para fillimit të ndeshjes.

Në vend të himnit kombëtar shqiptar, në Paris u intonua himni i Andorrës. Kjo shpiu në shtyrjen e ndeshjes për disa minuta, pasi lojtarët e Shqipërisë refuzuan të nisnin ndeshjen pa u korrigjuar gabimi.

Gjithsesi, posa u gjet himni i duhur, spikeri në stadium bëri një gafë tjetër duke iu kërkuar falje tifozëve të Armenisë, në vend të atyre të Shqipërisë.

“Në emër të Federatës Franceze të Futbollit, ju lutem pranoni sërish keqardhjen dhe faljen time të sinqertë për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë tifozëve shqiptarë pas luajtjes gabim të himnit kombëtar para nisjes së ndeshjes kualifikuese mes Francës dhe Shqipërisë, të mbajtur të shtunën e kaluar”, shkruhet në letrën e Le Graet.

“Për më tepër, pavarësisht ngathtësisë të dukshme, do doja të lavdëroja ndjenjën e jashtëzakonshme të “fair-play” dhe profesionalizmit nga delegacioni shqiptar gjatë incidentit turpërues”.

“Sinqerisht shpresoj se kjo situatë kompromentuese nuk do ndikojë në marrëdhënien, dhe veçanërisht në miqësinë mes Kombëtareve tona dhe do jemi në gjendje ta vazhdojmë bashkëpunimin për të mirën e futbollit”.

Shqipëria do ta vazhdojë rrugëtimin drejt kualifikimit në EURO 2020 sonte në orën 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”, ku do të tentojë t’i marrë tri pikë të rëndësishme në ndeshjen kundër Islandës.

loading…