Federata e Maqedonisë kërkon dënim të ashpër për Arnautoviqin, e shau me nënë serbisht futbollistin shqiptar

Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka reaguar të hënën lidhur me fyerjet në baza kombëtare të lojtarit të Austrisë, Marko Arnautoviq ndaj futbollistit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski.

Arnautoviq, që thotë se është me prejardhje serbe, ka sharë në gjuhën serbe Alioskin, duke e fyer edhe në baza kombëtare. Arnautoviq ka kërkuar falje të hënën, por Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut, ka kërkuar nga UEFA që ta dënojë lojtarin e Austrisë.

“Federata e Futbollit e Maqedonisë dënon ashpër shpërthimin nacionalist të lojtarit të Austrisë, Marko Arnautoviq, ndaj lojtarit të Maqedonisë, Ezgjan Alioski. Në të njëjtën kohë ne ju njoftojmë se kemi dorëzuar një letër zyrtare në UEFA përmes të cilës kërkojmë dënimin më të ashpër për lojtarin e Austrisë, Marko Arnautoviq”, thuhet në një komunikatë të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, që udhëhiqet nga Muhamed Sejdini.

FFM-ja ka thënë se gjithnjë do të mbrojë dinjitetin e ekipit përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se ku luan.