Federata e Boksit të Kosovës shpall sportistët e vitit

Federata e Boksit të Kosovës (FboxK) ka organizuar mbrëmë ceremoninë për shpalljen e sportistëve më të mirë për vitin 2022.

Padyshim që medalistja botërore dhe e bronzta e Kampionatit Evropian, Donjeta Sadiku siguroi çmimin e boksieres më të mirë për vitin që e lamë pas, raporton KosovaPress.

Ndërkaq, në konkurrencën e meshkujve, çmimin e boksierit më të mirë e fitoi Shpetim Bajoku.

Po ashtu, në vazhdën e shpërndarjes së çmimeve u dalluan edhe trajneri më i mirë, gjyqtari, punëtori sportivë dhe klubi më i mirë i vitit.

Çmimin e trajnerit më të mirë e rrëmbeu Marjola Sallauka, kurse Latif Demolli u shpall gjyqtari më i mirë i vitit.

Punëtori sportivë më i dalluar ishte Nadir Shllaku, kurse klubi më i mirë i vitit u shpall K.B “Gollaku”.

Po ashtu, çmime u ndanë edhe për boksierët seniorë më të mirë, për boksierët e grupmoshave U18, U16 dhe U14, boksieret më të mira dhe për shpresat e boksit.