Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) do të marrë pjesë në Kongresin e FIBA Botës që do të mbahet më 16-17 maj 2025 në Manama, Bahrejn.

Delegacioni i FBK-së do të përfaqësohet nga Kryetari i Federatës, Arben Fetahu, dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Në kuadër të këtij Kongresi të rëndësishëm, Federata e Basketbollit të Kosovës është ftuar nga FIBA për të prezantuar rrëfimin e saj të suksesit në zbatimin e Planit Strategjik 2021–2025, të hartuar dhe zbatuar në bashkëpunim me programin FIBA Plus.

Kjo ftesë për të prezantuar para gjithë federatave anëtare të FIBA-s përfaqëson një njohje të jashtëzakonshme për përparimin e FBK-së dhe një vlerësim për rrugëtimin transformues të basketbollit në Kosovë.

📅Në prezantimin që do të bëhet më 17 maj nga Kryetari Fetahu do të theksohen arritjet më të rëndësishme të periudhës 2021–2025, përfshirë rritjen e qeverisjes profesionale, zhvillimin e basketbollit të femrave, rritjen e pjesëmarrjes në nivel të gjerë dhe fuqizimin e klubeve.

🗣Deklaratë nga Sekretarja e Përgjithshme, znj. Elvira Dushku:

“Për ne si Federatë, ftesa për të ndarë rrëfimin tonë të suksesit në Kongresin e FIBA-s nuk është vetëm një privilegj, por edhe një obligim për të treguar që edhe një shtet i vogël mund të arrijë gjëra të mëdha përmes vizionit, punës së përkushtuar dhe partneriteteve të duhura. Kjo është një arritje për të gjithë komunitetin e basketbollit në Kosovë, nga fëmijët në shkolla, tek trajnerët, klubet, dhe institucionet që kanë qëndruar pranë nesh në këtë rrugëtim. Jemi të vendosur që me Planin e ri Strategjik 2026–2030 të ndërtojmë mbi këto suksese dhe të vendosim standarde edhe më të larta.”

Kongresi i FIBA Botës është një ngjarje madhore në kalendarin ndërkombëtar të basketbollit, që sjell së bashku përfaqësues nga të gjitha federatat anëtare të FIBA-s.

Gjatë këtij eventi, diskutohet për progresin dhe objektivat strategjike të basketbollit në nivel global, duke ofruar gjithashtu mundësi për ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira.

Pjesëmarrja e FBK-së me një prezantim të suksesshëm në këtë forum ndërkombëtar është një dëshmi e qartë e reputacionit në rritje të Kosovës në arenën ndërkombëtare të basketbollit dhe e përkushtimit të saj për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sportit.