FBK-ja e konfirmon: Mulaomerovic s’do të jetë më trajner i Kosovës

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) i ka ndarë rrugët me trajnerin Damir Mulaomerovic, i cili prej gushtit të vitit të kaluar dhe deri në gusht të këtij viti ka qenë në krye të Përfaqësueses A të Kosovës.

FBK-ja dhe Mulaomerovic patën nënshkruar kontratë njëvjeçare dhe e njëjta është respektuar nga të dyja palët. Përmes një deklaratë të lëshuar në faqen zyrtare, Federata e falënderoi trajnerin për kontributin e dhënë.

Mulaomerovic e pati nisur punën me Përfaqësuesen e Kosovës që nga data 29 gusht 2018, kur edhe i pati filluar përgatitjet për raundin e dytë të parakualifikumeve për Eurobasket 2021.

Në raundin e dytë të këtyre parakualifikimeve Kosova pati qenë në Grupin B së bashku me Maqedoninë Veriore dhe Rumaninë.

Kosova në këtë grup ka përfunduar e treta, pa asnjë fitore të shënuar, derisa Maqedonia Veriore e pati siguruar një vend për në kualifikime për Eurobasket 2021, kurse Rumania dhe Kosova e fituan edhe një shans për të luftuar për një vend në këto kualifikime.

Kosova në raundin e tretë garoi në Grupin G së bashku me Britaninë e Madhe dhe Luksemburgun, derisa në këtë raund e realizoi vetëm një fitore, dhe atë në shtëpi kundër Luksemburgut, kurse ishte Britania e Madhe ajo që e siguroi një vend në kualifikime për Eurobasket 2021.

Federata e Basketbollit të Kosovës në muajin e ardhshëm pritet të fillojë bisedimet me trajnerët potencial për të marrë drejtimin e përzgjedhësit të Kosovës.

loading…