Fazliji kthehet në St.Gallen

Betim Fazliji është rikthyer në FC St.Gallen 1879.

Klubi zviceran njoftoi për rikthimin e futbollistit kosovar, i cili e kaloi një vit në FC St.Pauli.

Përfaqësuesi kosovar ka nënshkruar kontratë me klubin nga Superliga zvicerane deri në vitin 2027.

24 vjeçari i zhvilloi 19 ndeshje në Bundesliga 2 me klubin nga Hamburgu, por klubet arritën marrëveshje që lojtari të rikthehej në shtetin “Helvetik”, shkruan “Gazeta Express”.

Fazliji i ishte bashkuar St.Gallenit si lojtar i ri në vitin 2014.

Para sezonit 2019/20, ai kaloi në ekipin e parë dhe më pas luajti rregullisht nga fillimi.

Ai i ka zhvilluar 89 ndeshje në ligën elitare zvicerane dhë 9 ndeshje në Kupë, si dhe një në Kupat Evropiane.

“I lumtur që rikthehem në familjen gjelbër e bardhë. Mezi pres të luaj përpara tifozëve tanë përsëri”, ka thënë Fazliji.

Ndërkohë, drejtuesit e klubit e presin krahëhapur qendërmbrojtësin, i cili mund të luajë edhe si mesfushor defanziv, shkruan “Gazeta Express”.

“Jemi mjaft të lumtur që Betimi u kthye në shtëpi dhe që nënshkroi kontratë afatgjate. Ai e njeh mjaft mirë klubin dhe do të ambientohet shpejt”.

Fazliji qe një kohë është bërë pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës.