Arsenali ka arritur fitore të madhe në Greqi, ndonëse golat e fitores erdhën në 11 minutat e fundit.
“Revolveristët” të enjten në mbrëmje e fituan ndeshjen e parë të 1/8 së finales në udhëtim te Olympiacosi.
Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta triumfoi me rezultatin 3:1.
Futbollisti i Arsenalit, i huazuar nga Real Madridi, Martin Odegaard, shënoi gol të jashtëzakonshëm me një gjuajtje të fuqishme nga distanca. Ishte goli i parë i shënuar nga norvegjezi në edicionin e sivjetmë.
Youssef El Arabi i barazoi shifrat për skuadrën greke pas gabimit të rëndë nga Dani Ceballos në mesfushë. Sidoqoftë, ka qenë goli i shënuar nga Gabriel që i dha avantazh të madh anglezëve në minutën e 79-të.
Gol të bukur shënoi edhe mesfushori Mohamed Elneny. Elneny u inkuadrua në lojë në minutën e 81-të, ndërsa shënoi nga distanca katër minuta më pas, dhe vulosi rezultatin final të takimit.
Granit Xhaka luajti në tërë takimin për Arsenalin.
Fitore bindëse ka shënuar edhe Tottenhami kundër Dinamo Zagrebit.
Tottenhami fitoi me rezultatin 2:0. Të dy golat për skuadrën e drejtuar nga Jose Mourinho i shënoi sulmuesi i rrezikshëm, Harry Kane, në minutën e 25-të dhe të 70-të.
Titullar te Dinamo Zagrebi ishte kapiteni Arijan Ademi. U zëvendësua në minutën e 90-të. Nga minuta e 64-të te Dinamo u inkuadrua reprezentuesi i Kosovës, Lirim Kastrati.
Rezultat tejet të mirë nga dueli i parë ka marrë edhe skuadra e Romës që mposhti Shkahtar Donetskun.
Italianët fituan ndaj ukrainasve me rezultatin 3:0. Lorenzo Pellegrini ishte shënues i golit të parë në minutën e 23-të. Më pas realizoi Stephan El Shaaraëy në minutën e 73-të, dhe katër minuta më pas, edhe mbrojtësi Gianluca Mancini.
Granada fitoi ndaj Moldes 2:0.







