Fauci: SHBA mund ta vërë nën kontroll COVID-19 deri në pranverë 2022, nëse shtohen vaksinimet

Shtetet e Bashkuara mund ta vendosin COVID-19 nën kontroll deri në fillim të vitit të ardhshëm nëse rritet ritmi i vaksinimit, tha Dr, Anthony Fauci të martën, një ditë pasi kompania Pfizer mori miratimin e plotë të FDA-së për vaksinën e saj.

Dr. Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në vend, tha në disa intervista dhe një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se miratimi i plotë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për vaksinën Pfizer-BioNTech hap rrugën për vaksinimin e më shumë njerëzve. Miratimi i plotë për vaksinën Moderna pritet në javët e ardhshme dhe autorizimi i vaksinimit për fëmijët më të vegjël deri në vjeshtë.

“Do të doja t’u bëja thirrje atyre që nuk janë të vaksinuar të kuptojnë se ne kemi aftësinë, ta shkurtojmë kohën e fundit të kësaj pandemie,” tha Dr. Fauci, kreu të Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, në një konference për shtyp të martën.

“Mendoj se është e arsyeshme të parashikosh” se Pfizer ose Moderna do të marrin miratimin nga FDA për të vaksinuar fëmijët nën 12 vjeç para sezonit të ardhshëm të festave, tha ai për NBC News.

“Shpresojmë nga mesi i vjeshtës dhe fillimi i dimrit.”

Gjatë konferencës për shtyp të së martës, zyrtarët amerikanë gjithashtu u bënë thirrje punëdhënësve privatë dhe qeverive shtetërore dhe vendore që të kërkojnë që personeli të vaksinohet në një përpjekje për të rritur normat e vaksinimit.

“Ka ardhur koha” që punëdhënësit amerikanë të fillojnë mandatimin e vaksinimeve, tha koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për COVID, Jeffrey Zients, duke u bërë jehonë komenteve të Presidentit Joe Biden të hënën.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po përgatitet të sigurojë dozat e treta përforcuese duke filluar nga mesi i shtatorit për amerikanët që u vaksinuan më shumë se tetë muaj më parë.

Dr. Fauci tha gjithashtu se ofruesit e kujdesit shëndetësor gjithashtu duhet të përdorin më shumë trajtimet me antitrupa për COVID-19, përfshirë ato nga Eli Lilly & Co, Regeneron Pharmaceuticals dhe GlaxoSmithKline Plc/Vir Biotechnology Inc. Trajtime të tilla mund të ulin shtrimet në spital dhe vdekjet deri në 85% nëse përdoren herët tek njerëzit e infektuar, tha ai.

Shtetet e Bashkuara po luftojnë me një valë tjetër rastesh për shkak të variantit shumë ngjitës Delta. Edhe shtrimet në spital dhe vdekjet po rriten, veçanërisht në Florida, Misisipi, Luiziana, Teksas dhe pjesë të tjera të jugut të SHBA-së.

Numri mesatar i vdekjeve nga COVID-19 është rritur me 23% gjatë shtatë ditëve të fundit, tha të martën Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Shtetet e Bashkuara kanë tani mesatarisht 1,000 vdekje nga COVID dhe mbi 150,000 raste të reja, sipas një njoftimi të Reuters.

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë kanë vënë në dukje gjithashtu se edhe numri i vaksinimeve është rritur javët e fundit dhe shpresojnë se miratimi përfundimtar i vaksinës Pfizer nga FDA të nxisë më shumë njerëz që të vaksinohen./VOA