Faton Peci: Forcimi i bashkëpunimit në bujqësi do ta lehtësojë tregtinë e vendeve të Evropës Juglindore

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, deklaroi sot në Tiranë, se shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira do të avanconin vendet e Ballkanit Perëndimor, në zhvillimin e potencialit të përbashkët ekonomik.

Ai gjatë takimit të ministrave të Bujqësisë të vendeve të Evropës Juglindore potencoi se forcimi i bashkëpunimit rajonal në sektorin e bujqësisë dhe ekonomisë rurale do të çonte në përmirësimin e konkurrencës së sektorit dhe në lehtësimin e tregtisë ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore.

Ministri Faton Peci gjithashtu foli për rëndësinë që paraqesin zonat rurale, sidomos ato të cilat gjenden në zona ndër-kufitare, siç është trekëndëshi Sharr-Kukës-Dibër, me potencial të lartë të kultivimit të bimëve mjekësore dhe aromatike.

Karshi Agjendës së Gjelbër, ministri Faton Peci theksoi punën e Ministrisë së Bujqësisë në finalizimin e Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027, strategji kjo e cila do t’i adresojë një sërë veprimesh mjedisore e klimatike përveç se bujqësore.

Temat e diskutuara gjatë këtij takimi në fokus kishin avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe përafrimin e politikave zhvillimore të vendeve kandidate dhe atyre potenciale për kandidate në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, avancimin drejt plotësimit të kritereve të IPARD-it, si dhe rrugëtimin drejt implementimit të Agjendës së Gjelbër të Bashkimit Evropian përmes politikave shtetërore.

Takimi i 15-të vjetor i ministrave të Bujqësisë së Evropës Juglindore u organizua në bashkëpunim me Grupin e Përhershëm të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (RRD SWG) dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, institucion ky i cili mikpriti homologët e vendeve të rajonit dhe me ç’rast mori udhëheqjen zyrtare të këtij grupi.