Fati i shqiptarëve që luajtën për Lazion

Pasi për shumë vjet shkëlqeu te Red Bull Salzburgu në Austri, Valon Berisha në korrik të vitit 2018 iu bashkua Lazios. Synimet e mesfushorit të Kosovës ishin të mëdha. Ai llogariste të stabilizohej në Serie A dhe më pas të ndërtonte mbi atë stabilitet.

Por gjërat nuk ecën sipas planit. Gjatë qëndrimit te Lazio, Berisha është përballur me telashe të mëdha dhe asnjëherë nuk ka mundur të stabilizohet te kjo skuadër tashmë e njohur italiane. Ai këtë vit luajti si huazim te Fortuna Duesseldorfi, ndërsa në korrik kaloi te Reimsi në Francë.

Te Lazio ka luajtur pak dhe ka bërë edhe më pak. Nuk do të mbahet gjatë në mend nga tifozët e skuadrës nga Roma.

Valon Berisha është njëri prej lojtarëve shqiptarë që ka luajtur për Lazion. Ata kanë pasur fat të ndryshëm. Disa ia kanë dalë e disa jo.

Me emërimin e Igli Tares në postin e drejtorit sportiv të Lazios, në vitin 2008, dyert e këtij klubi janë hapur më shumë për futbollistët shqiptarë. Tare është shumë i vlerësuar për punën që bën te Lazio, ndërsa ndër vite ka afruar disa futbollistë shqiptarë. Për shumë më tepër është interesuar.

Tare edhe si futbollist ishte te Lazio. E përfundoi karrierën te kjo skuadër. Shumë më i suksesshëm është si drejtues. Transferimet që bën ai kryesisht dalin si shumë të suksesshme.

Së fundi Tare transferoi yllin e Kosovës, Vedat Muriqi. Muriqi është i bindur se do t’ia dalë te Lazio, ndërsa thotë se i përshtatet loja që bën skuadra.

Edhe Valon Berisha ka shpresuar shumë, por tani po kërkon shkëlqimin në Francë.

Shpresa të mëdha kishte edhe Riza Durmishi, mbrojtësi i majtë me paraqitje te Danimarka. Edhe 26-vjeçari ishte transferuar në vitin 2018 nga Real Betisi, ku ishte paraqitur me sukses. Por gjeti pak hapësirë te Lazio. Në pjesën e parë të këtij viti ishte i huazuar te Nice në Francë, por nuk është që shkëlqeu. Është kthyer në Lazio, por nuk është në planet e këtij klubi. Me shumë mundësi do të shitet në këtë afat kalimtar. Dy ish-skuadrat e tij, Brondby dhe Real Betis, janë të interesuara për Durmishin, që ka 22 paraqitje për Danimarkën.

Nga viti 2013 deri në vitin 2016 te Lazio ishte portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha. Ai ka mbrojtur në të gjitha edicionet, por pa ia dalë të stabilizohet.

Më tepër sukses kishte Valon Behrami, që te Lazio ishte prej vitit 2005 deri në vitin 2008. Madje ai ka shënuar një gol, që mbetet në kujtesë të tifozëve të Lazios ndaj rivales së madhe, Romës.

Katër vjet te Lazio i ka kaluar edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana. Cana vlerësohet ikonë e futbollit shqiptar. Te Lazio kishte periudhë të vlerësuar, ndonëse në secilin edicion ka munguar në një pjesë të ndeshjeve.

Muriqi kalon te Lazio në një moment të madh për karrierën e tij. Me Taren në postin e drejtorit, mundësitë nuk pritet t’i mungojnë.