Lulzim Bajrami, zyrtari i lartë i Prokurimit, i cili u arrestua në një aksion të Policisë së Kosovës të martën, është familjar me kandidatin e LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahirin.

Bajrami dyshohet se kundërligjshëm ka vepruar në tenderët publik, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 8,8 milionë euro.

Indeksionline raportoi më parë se i arrestuari në aksionin e Policisë është Lulzim Bajrami. Bajrami është i afërt me Tahirin.

Bajrami është vëllai i gruas së Xhafer Tahirit, merr vesh Paparaci përmes burimeve.

Bajrami, në pozitën e tij si udhëheqësi i divizionit të prokurimit në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, dyshohet të ketë ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar, duke përshtatur kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas njoftimi të Policisë së Kosovës, Bajrami është ndaluar për 48 orë nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në procedurat e tenderëve publikë.

Aksioni është zhvilluar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.