Aksident

Familjari i viktimave në Hungari: Nuk po mund ta identifikojmë Jetmirin, u dogj bashkë me dokumente

Kushtrim Hoxha 28 vjeçar nga Prizreni dhe Jetmir Rexhepi rreth 30 vjeçar nga fshati Celinë e Rahovecit janë viktimat të cilat kanë ndërruar jetë derisa po vinin në Kosovë, si pasojë e një aksidenti trafiku në Hungari, ku vetura e tyre u përplas me një kamion dhe kishte marrë flakën.

Kështu thotë për KosovaPress axha i Kushtrimit, Bashkim Hoxha derisa thekson se autoritetet po e kanë të vështirë që ta identifikojnë Jetmir Rexhepin, pasi ky i fundit kishte marrë flakë në makinë bashkë me të gjitha dokumentet personale.

Ai shton se do të bëhet obduksioni i trupave të viktimave, për çka thotë se ndoshta do tu duhet edhe familjarëve të Jetmirit për të shkuar në Gjermani për të ndjekur procedurat e identifikimit.

Hoxha potencon se nuk kanë marrë ndonjë informacion të saktë se kur do të kthehen trupat e pa jetë të viktimave për varrim në Kosovë.

Hoxha: Nuk po mund ta identifikojnë Jetmirin, u dogj bashkë me dokumente

“Mbrëmë rreth orës 1 e 15 minuta sipas informatave që na i ka dhënë policia gjermane, janë aksidentuar me një kamion të madh në autostradë në Hungari. Makina ka marrë flakë, Jetmir Rexhepi, dhëndri ka vdekur në vend dhe janë djegur të gjitha dokumentet. Ndërsa Kushtrimi ka ndërruar jetë gjatë transportit për spital. Ne po presim para të hënës nuk po besoj që fillojnë procedurat e obduksionit dhe rregullimin e dokumenteve. Është problem me rastin e Jetmir Rexhepit të cilit iu kanë djegur të gjitha dokumentet që ka pasur në trup, nuk po mund ta identifikojnë, vetëm që e dimë kush është…Kur pritet të kthehen kufomat në Kosovë? Deri në këtë moment nuk dimë, pas të hënës fillojnë procedurat, a vonojnë dy ditë apo tri, një javë apo brenda ditës edhe ambasada nuk na jep më shumë shpjegime se nuk i di procedurat që i ka shteti. Me siguri duhet të shkojnë familjarët atje të dëshmojnë, nuk e di se si do të rrjedhi pastaj”, thotë Hoxha.

Ndër të tjera, familjari i viktimës thotë se 20 minuta para se të ndodhte aksidenti, Kushtrimi kishte kontaktuar djalin e tij dhe i kishte thënë se është rrugës për të mbërritur në Kosovë.

Gjithashtu ai tregon se Kushtrimi është djali i vetëm i vëllait të tij, që kishte lindur pas tri motrave, e që i njëjti tashme ka lënë një vajzë katër muajsh pas vetes.

Po ashtu, ai potencon se edhe Jetmiri ishte prind i djalit një vjeçar.

Hoxha: Mos flejë se unë mbërrijë sonte

“(Kushtrimi) Djalë pas tri motrave ka lindur ai, ka lënë një vajzë katër muajshe, ndërsa Jetmiri e ka lënë djalin një vjeç, të dy nga një fëmijë kanë pasur…Bile 20 minuta para se të ndodhë, i kishte shkruar djalit tim Drilonit, ‘Ei mashkull mos flejë se unë mbërrijë sonte, mos flejë në gjumë’, se janë rritur bashkë ata. Më tregoi djali edhe mesazhin”, thotë Hoxha.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani, bashkë me autoritetet hungareze, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin e trupave të tyre.

VIDEO BONUS: Serbia vazhdon me veprim të njëanshme duke kërcënuar paqen në rajon