Familjari i të vrarit në “Bon Vivant” gjykatës: “Jeni katastrofë”

Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin për vrasjen e rojes së lokalit “Bon Vivant”, për të cilën akuzohen Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.

Gërdovci, në rigjykim është dënuar me 18 vite burgim për vrasje dhe 1500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje ndërsa Sherif Krasniqi  për vrasje në bashkëkryerje është dënuar me 6 vite burgim.

Ndryshe në gjykimin e kaluar, Gërdovci ishte dënuar me  21 vite e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar  me 4 vjet e 3 muaj.

Ndaj këtyre dënimeve është revoltuar njëri nga familjarët e të vrarit Rrahman Uka duke thënë se vrasja duhet të cilësohet si e rëndë.

“Qysh nuk është vrasje e rëndë midis lokalit. Vini fleni këtu e sen nuk bëni. Sa për juve veç po na shtini me e vra. Gjykatë e Hamamit”, ishin disa prej fjalëve të familjarit.

Sipas aktakuzës së ngritur me korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza

Por ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.