Istog

Familjarët flasin për vdekjen nxënëses 12 vjeçare në shkollën e Istogut

Dita e martë ishte e kobshme për qytetin e Istogut, pasi Medina Buleshkaj, nxënëse e klasës së shtatë në shkollën fillore “Bajram Curri” në Istog, , vdiq gjatë kohës kur ishte në shkollë.

E njëjta është dërguar pa shenja jete në shtëpinë e shëndetit në Istog. Televizioni T7 sot ka qëndruar në familjen e së ndjerës, por edhe në shkollën ku ndodhi e gjithë ngjarja.

Vdekja e papritur e Medinës ka tronditur familjen,  bashkëmoshatarët e saj, por edhe stafin e shkollës “Bajram Curri” të Istogut.

Drejtori i kësaj shkolle, Sejdi Kabashi, i cili bashkë me një pjesë të stafit të shkollës e kishin dërguar të ndjerën në QKMF, ka thënë për Televizionin T7 se Medina kishte qenë duke dalë nga klasa në momentin kur është rrëzuar.

Nxënësja 13-vjeçare kishte ndërruar jetë deri sa kishte arritur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog. Vdekjen e saj e ka konstatuar edhe mjeku kujdestar.

“Kur e ka sjellë drejtori këtu, ajo ka qenë pa shenja jete. Pas ekzaminimit që i ka bërë mjeku është vërejtur se nuk ka shenja në trup. Vajza ka vdekur për shkak të sëmundjes që kishte”, ka thënë Drejtori i QKMF’së në Istog, Anton Gega.

Shkaktari i vdekjes së Medinës nuk dihet, pasi nuk është kryer autopsia. Mirëpo dyshohet se ajo ka vdekur nga ataku kardiak. Kjo pasi xhaxhai i Medinës, Fatmir Buleshkaj ka thënë për T7 se e ndjera vuante nga një sëmundje e zemrës kur ishte në moshën 2-vjeçare.

“Prej moshës 2-vjeçare ka qenë e sëmurë. Është trajtuar jashtë vendit. Por, gjendja e saj ka qenë stabile, nuk i është përkeqësuar shëndeti”, ka thënë Buleshkaj.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e  Pejës, Driton Rugova ka folur po ashtu për rastin.

“Mund t’jua konfirmoj se një i mitur gjatë ditës së sotme është gjetur pa shenja jete. Hetimet janë duke vazhduar. Ndërkohë rasti është cilësuar si ‘Hetim i vdekjes’. Shkaqet ende nuk dihen”, ka thënë Rugova.

Medina është varrosur sot, në varrezat e qytetit të Istogut.