Debati

Familja Rugova i reagon VV-së: Se pari duhet të përkuleni para varrit të presidentit, pastaj flisni

Familja e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ka reaguar pas reagimeve që erdhën kryesisht ngë Lëvizja Vetëvendosje pas deklaratës së nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri. Ky i fundit tha mbrëmë se nuk mund të ketë bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa të ndryshojnë qëndrim për ish-presidentin Ibrahim Rugova.

E bashkëshortja e djalit të Rugovës, Ukës, Blerta Kllokoqi Rugova, thotë se të gjithë ata që flasin e mundoheni të hedhin poshtë deklarimet e nënkryetarit të LDK-së, duhet fillimisht të përkulen para varrit të tij.

Reagimi i plotë i Blerta Kllokoqit Rugova:

Të gjithë ju që flisni e mundoheni të hudhni poshtë deklarimet e Nënkryetarit të LDK-së dhe njëherit Ministrit të vetë Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Zt. Lutfi Haziri, ju rekomandoj të shkoni e të përkuleni para vendit ku pushon i qetë arkitekti i Kosovës shtet i lirë, pavarur e demokratik Dr. Ibrahim Rugova, e të i tregoni botës se edhe ju si e GJITHË BOTA vlerësoni lartë figurën, jetën dhe veprën e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
Vetë Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova dhe po ashtu familja e tij, akterë dhe dëshmitarë kryesor të të gjitha shpifjeve e propagandave ndaj Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova në kohën kur Presidenti po jepte edhe frymën e fundit duke punuar për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, e edhe pas shkuarjes së tij në amshim në raport me familjen e tij sot e kësaj dite, kanë falur mëkate të shumë e shumë individëve dhe vazhdojnë të falin edhe më tej sepse PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA NJË GJË THOSHTE: NUK KEMI SHQIPTAR PËR TË HUMBUR.