Familja e Milazim Muratit që u plagos në Medvegjë insiston se ai ishte në tokën e vet
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për plagosjen e së martës në pikën kufitare me Serbinë.
Milazim Murati u plagos me armë zjarri, derisa po priste drunj në fshatin Gërbac të Medvegjës, zonë kjo në Serbi. Policia, për KTV-në, ka konfirmuar se për rastin ka kontaktuar edhe me Policinë e Serbisë dhe organet tjera ndërkombëtare në Kosovë.
Familja e shtetasit kosovar, i cili gjithashtu ka nënshtetësi të Serbisë, por së fundmi janë zhvendosur për të jetuar në Kamenicë, insistojnë se prona është e familjes së tyre dhe s’është pronë shtetërore.
Naim Murati thotë që vëllai i tij u qëllua nga policë serbë. Mjekët thonë se gjendja e Milazim Muratit, tashmë është stabile.
Ky nuk është rasti i parë i problemeve të tilla në pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë.
Në fshatin Uglar, në pikën kufitare mes Kosovës e Serbisë, në vitin 2011, ishte vrarë një 14-vjeçar, i cili po priste dru në mal bashkë me familjarë të tij.
Një vit më vonë, derisa po patrullonin në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës, xhandarmëria serbe arrestoi dhe prangosi dy policë të uniformuar të Kosovës.