“Fajësoj një person”, thotë nëna e adoleshentit të vrarë nga policia në Francë

Nëna e 17-vjeçarit të vrarë nga policia franceze tha se fajëson vetëm oficerin që qëlloi djalin e saj për vdekje.

Kjo tragjedi ka ndezur tre netë rresht trazirash shkatërruese dhe ka ringjallur një debat të nxehtë rreth diskriminimit, shkruan CNN, transmeton KlanKosova.

Nahel, u qëllua për vdekje gjatë një ndalimi trafiku të martën në mëngjes në periferinë e Parisit, Nanterre.

Pamjet e incidentit të filmuara nga një kalimtar treguan dy oficerë që qëndronin në anën e shoferit të makinës, njëri prej të cilëve qëlloi me armë drejt shoferit, pavarësisht se nuk dukej se ishte në ndonjë rrezik të menjëhershëm.

Oficeri tha se ai qëlloi me armë nga frika se djali do të përplaste dikë me makinë, sipas prokurorit të Nanterre, Pascal Prache.

“Unë nuk fajësoj policinë, unë fajësoj një person, atë që i mori jetën djalit tim,” i tha nëna e Nahelit, Mounia, stacionit televiziv France 5 në një intervistë para kamerës.

Prache tha se besohet se oficeri ka vepruar ilegalisht duke përdorur armën e tij. Ai aktualisht po përballet me një hetim zyrtar për vrasje me dashje dhe është vendosur në paraburgim.