Fabregas tregon dallimin mes Sarrit dhe Contes

Verën e 2018-ës Maurizio Sarri i mori vendin e punës Antonio Contes te Chelsea, ndërsa këtë sezon të dy trajnerët janë rikthyer në Itali dhe po rivalizojnë fort për titullin kampion, i pari në stolin e Juves dhe tjetri në atë të Interit.

Mesfushori spanjoll Cesc Fabregas, i cili është stërvitur nga të dy trajnerët kur ka qenë pjesë e Chelseat, ka dhënë opinionin e tij si për Conten, ashtu edhe për Sarrin, ndërsa dukshëm preferenca e tij është për teknikun aktual të Interit.

“Conte është trajneri më i vështirë me të cilin kam punuar dhe ta bëja të ndryshonte mendim për mua, ishte arritja më impresionuese që kam në karrierë. Sarri ka taktikat e tij dhe “vdes” me to. Nuk është shumë fleksibël, por është i zoti dhe zemërmirë”, deklaroi mesfushori spanjoll.

Edhe sa i përket garës për titullin kampion, ish mesfushori i Arsenalit, Barcelonës e Chelseat sheh Interin si favorit për të shkurorëzuar “zonjën e vjetër”, ndërsa Conten e cilëson ideal për skuadrat që duan të ringrihen.

“Mendoj se Interi i ka të gjitha shanset për të triumfuar këtë sezon në kampionat. Conte ëshët trajneri ideal për skuadrat që duan të ringrihen dhe e shikoni që i ka dhënë tjetër identitet skuadrës menjëherë”, tha Fabregas