Britaniku

F1 në Austin; Moti kushtëzon gjithçka, përveç Hamiltonit (Foto)

Lewis Hamilton e nis me këmbën e mbarë fundjavën që mund të jetë ajo e dorëzimit të trofeut të pestë botëror në Formulën 1.

Piloti britanik i Mercedesit e mbylli sesionin e parë të provave të lira, në Shtetet e Bashkuara, një sesion i ndikuar nga reshjet e shiut, me kohën prej 1 minutë, 47 sekonda dhe 502 të mijëtat.

Pas krahëve të tij është shoku i skuadrës, Bottas, ndërsa më tej vijnë dy makinat Red Bull, me mbi një sekondë larg. Edhe më larg janë renditur dy “kokëkuqet” e Ferrarit, Vettel në vendin e pestë dhe Raikkonen në të gjashtin, me 1.9 dhe 2.4 sekonda më shumë.

Moti kushtëzoi gjithçka, me përjashtim të udhëheqësit të kampionatit, i cili mbërriti në Teksas me synimin për të vendosur diktatin dhe për t’u konfirmuar piloti më i mirë në pistë të lagur. Pse jo, edhe për të siguruar matematikisht titullin kampion.

Për t’u shënuar nga ky sesion është edhe fakti që dy makinat Toro Rosso, të Hartley dhe Gasly, kanë ndryshuar njësinë motorike, gjë që do t’i bëjë ata ta nisin garën nga vija e fundit.