Politikania franceze Gwendoline Delbos-Corfield e cila është anëtare e Parlamentit Europian ka deklaruar se përgjimi dhe mbikëqyrja në Beograd tashmë është bërë normë. Ajo ka reaguar ndaj skandalit të shfrytëzimit të shërbimit sekret serb BIA nga shërbimet sekrete ruse për përgjimin e opozitës ruse në Beograd.

Në një postim në rrjetin “Twitter” Delbos-Corfield ka shkruar “Politikanët e opozitës ruse dyshojnë se ministri i Brendshëm serb i ka dorëzuar Kremlinit transkriptet e takimeve të tyre në Beograd. Këto zbulime janë alarmante.”

Ajo ka rikujtuar se së bashku me euro deputeten Von Cramon prej kohësh kanë ngritur shqetësimin për “gjendjen e mbikëqyrjes sistematike masive në Serbi”. Delbos-Corfield ka kritikuar bashkëpunimin e Serbisë me Rusinë dhe përdorimin e metodave të tilla nga Serbia, duke deklaruar se “si një vend kandidat për në BE, Serbia nuk duhet të jetë një vend dëgjimi për shtetet autokratike.”

Delbos-Corfield së bashku me Von Cramon dhe disa euro deputetë të tjerë i kishin shkruar letër ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, për instalimin dhe përdorimin e kamerave të vëzhgimit në Beograd, gjë për të cilën ata nuk kishin pranuar asnjëherë përgjigj nga ai.

Ajo ka shkruar se “Një qeveri me respekt për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës nuk duhet të vëzhgojë qytetarët e saj.”