Eurodeputeti austriak kërkon lëvizjen e menjëhershme pa viza për kosovarët

Në një ambient festiv në „Shtëpinë e Industrisë“ në Vjenë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri organizoi pritjen solemne me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sami Ukelli, në fjalën e tij përshëndetëse paraqiti të arriturat e Republikës së Kosovës në këto 11 vjet të shtetkrijimit. Qytetarët e Kosovës kanë kapërcyer sfida të ndryshme nga regjimi serb dhe shpallja e Pavarësisë së Republikës ishte një proces i natyrshëm dhe një moment i rëndësishëm në historinë më të re të Kosovës. Ambasadori Ukelli shfrytëzoi rastin të falenderojë edhe përfaqesuesit e pranishëm të komunitetit ndërkombëtar në Vjenë për mbështetjen e dhënë në 20 vitet e fundit në shtet-ndërtim të Kosovës.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Ukelli, foli edhe për marrëdhinët e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Austrisë, marrëdhënie të cilat nga viti në vit thellohen përmes vizitave të shpeshta zyrtare ndërmjet dy vendeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve mbi fusha të ndryshme në interes të përbashkët. Ambasadori Ukelli theksoi rëndësinë rrugëtimit të përbashkët me Austrinë, si aleat historik i Kosovës në avancimin e agjendës Euro-Atlantike të Republikës së Kosovës.

Në këtë kuadër, Ambasadori Ukelli falënderoi shtetin austriak për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës nga vitet ’90-ta, si një nga shtetet e para evropiane që u rreshtua kundër shkeljes sistematike të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Ambasadori Ukelli një falënderim të veçantë ia dedikoi edhe qytetarëve austriak për zemërgjerësinë që ka shfaqur gjatë kohës së luftës së Kosovës në kuadër të aksionit humanitar “Nachbar in Not”, i cili ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm ndaj refugjatëve dhe të dëbuarve nga Kosova.

Ambasadori foli edhe për rolin e veçantë që diaspora shqiptare në Austri vazhdon të luajë, kontributi i së cilës është duke u rritur në çdo fushë, qoftë në aspektin ekonomik apo kulturor.

Lukas Mandl, deputet në Parlamentin Evropian dhe njëherësh Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, foli për perspektivën evropianë të Kosovës, rrugë të cilën Austria vazhdimisht e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë. Eurodeputeti Mandl paraqiti edhe kontributin e tij si Eurodeputet në Grupin Parlamentar BE-Kosovë, si dhe përmes Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë në avansim ndërkombëtar të Kosovës. Ai bëri thirrje gjithashtu edhe BE-së, që edhe Republika e Kosovës sikurse çdo shtet tjetër i Ballkanit Perendimor të gëzojë mënjeherë lëvizjën e lirë dhe pa viza. Republika e Kosovës duhet të mbeshtetet fuqishëm edhe në përpjekt e saj për antarësim në Europol dhe organizatat e tjera, theksoi ndër të tjera Eurodeputeti Mandl.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe personalitete të njohura të politikës dhe diplomacisë austriake, si ish-kryetari i Parlamentit Nacional, Heinrich Neisser, ish-ministri i Jashtëm Peter Jankowitsch, bashkëshortja e ish-ministrit të Jashtëm Alois Mock, znj. Edith Mock, ish-ministrat e Mbrojtjes së Austrisë, Friedhelm Frischenschlager dhe Werner Fasslabend, ambasadori Wolfgang Petritsch, deputetë të të dyja Dhomave të Parlamentit Nacional, deputetë e përfaqësues të Landeve austriake, përfaqësues të niveleve të larta nga Ministri të ndyshme austriake dhe kori diplomatik nga shtetet të ndryshme të botës të akredituara në Austri, si dhe përfaqësues të bizneseve austriako-shqiptare.

Mos i humb
Si e vjedh politika shtetin?
Pacolli thërret takim urgjent me liderët: Koha nuk pret, është momenti i vendimeve të mëdha