EULEX vazhdon aksionin e bastisjes së shtëpive të tre ish-krerëve të UÇK-së

Kanë kaluar më shumë se dy orë që prej se hetuesit e Speciales kanë nisur bastisjet në shtëpitë e tre ish-krerëve të UÇK-së, Kadri Veseli, Hashim Thaçi e Rexhep Selimi.

Pak para orës 09:00, të tri këto lokacione janë mbushur me policë të EULEX-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës që aktualisht po ofrojnë asistencë.

Pak kohë pas nisjes së bastisjes, policët e EULEX-it janë parë teksa dalin me disa pako nga banesa e ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli.Pako janë parë edhe në shtëpinë e ish-presidentit Thaçi, mirëpo që të njëjtat janë futur brenda.

Aktualisht, në zyret e PDK-së janë disa zyrtarë të kësaj partie të cilët po përcjellin nga afër zhvillimet.

Edhe nga Prokuroria e Specializuar kanë konfirmuar operacionin e sotëm, teksa kanë thënë se po ndihmohen nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it, mirëpo pa dhënë informata shtesë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Më shumë informacion do të jepet më vonë”, thuhet në komunikatën për media, raporton Lajmi.net.

Më herët gjatë javës, Specialja kishte bastisur edhe shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili edhe është arrestuar e transferuar në Hagë.Ndaj të njëjtit, seanca dëgjimore do mbahet të hënën me fillim prej orës 11:00.Në të njëjtën kohë që po zhvilloheshin bastisjet, qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje në lidhje me zhvillimet e fundit.Aty ka pasur përplasje mes ministrit të AAK-së, Selim Selimi i cili ka kërkuar pezullimin e dialogut me Serbinë.Kjo kërkesë ka hasur ndërkaq në kundërshtimin e kryeministrit Hoti.