Votimi në veri

EULEX-i bashkë me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës po vëzhgojnë sigurinë në veri

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) bashkë me Misionin Paqembajtës të NATO-s, KFOR-in dhe Policinë e Kosovës po e vëzhgojnë nga afër situatën e sigurisë gjatë kohës sa po mbahet votimi – i bojkotuar nga serbët – për shkarkimin e kryetarëve në veri, bëri të ditur shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

“Në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, #EULEX-i është duke monitoruar situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në 4 komunat ku po zhvillohet votimi për tërheqjen e kryetarëve”, ka shkruar ai në “X”.

Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan – të dielën e 21 prillit votojnë për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.

Votimet që kanë nisur nga ora 7 e mëngjesit po zhvillohen teksa Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit.

Nga katër komunat është raportuar dalje shumë e ulët e qytetarëve në votim. Në disa vendvotime nuk ka pasur fare interesim.  

Për t’i shkarkuar kryetarët, duhet votuar 50 për qind plus një votues që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.