“Eskobari i Ballkanit” kërkon gjykim të shkurtuar

Klement Balili, i njohur si Eskobari i Ballkanit kërkon t’i mbyllë sa më shpejt “hesapet” me drejtësinë.

Në seancën e tij të parë gjyqësore, e cila ka nisur tashmë, Klement Balili ka kërkuar në sallë gjykim të shkurtuar mbi 4 akuzat që rëndojnë momentalisht mbi të.

Balili i kundërshton të katërta akuzat me pretendimin se nuk ka kryer asnjë vepër penale, teksa avokatët e tij janë shprehur se mbi personin në fjalë nuk asnjë provë.

Ndërkohë kërkesa për gjykimin e shkurtuar i është dorëzuar trupës gjykuese. Avokati i Balilit, ish kryeprokurori Theodhori Sollaku e ka depozituar kërkesën.

Nga pala tjetër, organi i akuzës i është referuar hetimeve greke që e ekspozojnë Balilin si personin që trafikoi 678 kilogramë kanabis, një ngarkesë që u kalua nga brigjet e Sarandës më 5 maj të vitit 2016. Sipas përgjimeve të bëra nga pala greke, rezultonte se Balili kishte patur komunikimin me skafistët që do të transportonin drogën. Eskobari i Ballkanit i orientonte ata se në Zakinthos (Greqi), i priste Georgis Alifantis.