“Është vendim politik, i ndikuar nga shteti i Serbisë” | Flasin familjarët e Mustafës pas dënimit të tij nga Specialja

Bajram Sopi, xhaxhai i gruas së Salih Mustafës, ka folur para mediave pas dënimit të Salih Mustafës me 26 vjet burgim. Sipas tij, Mustafa nuk është fajtor, dhe se me kohën drejtësia do të vijë në vend.

“Unë e di qëmoti, për shembull ky ka qenë pikërisht i akuzuar edhe për aspiratat e kombit tonë, ka qenë i dënuar 5 vjet prej regjimit serb. Salihu nuk është fajtor, por është diçka tjetër dhe këtu që fshihet pas saj, mundohen ta barazojnë viktimën me terrorizmin. Kështu që, ne jemi plotësisht të qetë sepse drejtësia herdokur do të vijë në shprehje dhe besojmë në pafajësinë e tij si familjar”, ka thënë Sopi.

Ndërkaq, Kosovare Sopi, motra e gruas së Sali Mustafës, është shprehur se vendimi për dënimin e Salih Mustafës, është puropolitik dhe i ndikuar nga shteti serb.

Tutje, Sopi ka thënë se vendimi i ditës së sotme nga Specialja, ka dëshmuar se Gjykata nuk i mbron të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.

“Bija e Sokol Sopit, babën invalid të luftës, edhe Vlora vetë është invalide e luftës, ku krejt jeta jonë familjare e po ashtu edhe e Salih Mustafës ka qenë që i ka kushtuar këtij kombi. Normalisht këtë vendim ne e kundërshtojmë dhe është vendim totalisht i papranueshëm, po shihet qartë se është vendim puropolitikë, i ndikuar nga shteti i Serbisë që lë shumë për të dëshiruar këtë vendim, absolutisht që ne nuk e pranojmë. Ne besojmë shumë në pafajësinë e Sali Mustafës, sepse njihehmi edhe nga afër, familjar e kemi, po shihet që ky vendim sot edhe e dëshmoi me vendimin e dhënë ndaj Salih Mustafës, që kjo Gjykatë absolutisht nuk i mbron të drejtat e shqiptarëve të Kosovës”, u shpreh Sopi.

Ndryshe, të premten e 16 dhjetorit, Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë me 26 vjet burgim.

Mustafa është i dënuari i parë i Gjykatës Speciale për krime lufte.