La Liga

“Është më i paguari në botë sepse e meriton”, presidenti i Atleticos “ngre në qiell” trajnerin argjentinas

Javën e kaluar, Diego Simeone rinovoi kontratën me Atléticon e Madridit, duke u lidhur tashmë me klubin bardhekuq deri në vitin 2027. Nëse e përmbush të plotë kontratën, do të thotë se argjentinasi do të qëndrojë për 16 vjet tek klubi madrilen.

Vazhdimësia e Simeones nënkupton një investim prej 40 milionë eurosh bruto në vit nga Atlético, shifra që e bëjnë ish-mesfushorin argjentinas trajnerin më të paguar në planet, situatë që u komentua nga Enrique Cerezo, president i klubit madrilen.

“Diego Simeone është trajneri që i ka dhënë Atléticos më shumë trofe. Është e vërtetë që është më i paguari në botë, por kjo sepse e meriton dhe ka mbështetjen tonë të plotë. Ne e paguajmë këtë shumë sepse mundemi, Cholo është një trajner shumë i veçantë. Jam i sigurt se do të vazhdojë të jetë shumë i suksesshëm”, tha Cerezo, në një intervistë për Radio Marca.