“Është kujdesur që situata të mos tensionohet” | Si e inkurajonte Albin Kurti të qëndronte në barrikada Goran Rakiqin e Listës Serbe

Më 18 mars të vitit 2020, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit i janë dashur vetëm pak orë për ta shkarkuar ministrin e tij të brendshëm, Agim Veliun, i cili kishte dhënë një deklaratë ku ai e mbështeste presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pasi pandemia me COVID-19 kishte filluar të shpërthente në Kosovë dhe askush në botë nuk e dinte se si duhej të përballej në situata të tilla.

Por, kryeministri Kurti, po vepron krejtësisht ndryshe me ministrin e tij serb, Goran Rakiç, i cili zakonisht qëndron në barrikadat e serbëve në veri sa herë që ata dalin për të kundërshtuar ndonjë vendim të Qeverisë së Kosovës. Edhe udhëzimet për veprimet e tij, ministri i Kurtit po i merr në mbledhjet e hapura në Beograd, nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Për Kurtin, të pajtoheshe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, edhe për një temë që kishte të bënte drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve, ishte e pafalshme, por sot të pajtohesh me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të bllokuar rrugët e Kosovës dhe për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë, nuk përbën fakt për të ndërmarrë ndonjë masë. Edhe pse është e qartë se ai nuk është i dërguar nga Kurti për të mbikëqyrur situatën, pasi këtë e bëjnë institucionet e sigurisë.

Kurti, vetëm kur ishte në opozitë u bënte presion qeverive për të shkarkuar zyrtarët e Listës Serbe, të cilët bënin deklarata apo nuk tregonin lojalitetin ndaj Republikës së Kosovës. Por, prej ditës kur është bërë kryeministër, Kurti po tregohet shumë i kujdesshëm me ministrat nga Lista Serbe.

“Unë nuk po i quaj më ashtu [çetinikë]”, thoshte Albin Kurti, në shkurtin e vitit 2020 kur për herë të parë u bë kryeministër dhe pasi u pyet se “A do të tërhiqeni nga ajo që [Listën Serbe] i keni quajtur çetnikë?”.

Kjo ishte një përgjigje e shkurtër e kryeministrit Kurti, por shumë e qartë. Ai, lehtësisht kishte vendosur të braktiste opozitarimin e tij edhe ndaj Listës Serbe, të cilën e shihte si një parti çetnikësh dhe që i shërben vetëm Beogradit zyrtar. Ai kishte vendosur që ta merrte në Qeveri edhe Listen Serbe.

“U thoni jo çetnikëve të Listës Serbe se kështu i thoni po republikës sonë”, deklaronte opozitari Kurti në një mbledhje të këshillit të përgjithshëm të partisë së tij, por që kur u bë kryeministër ai vendosi që ta bënte të kundërtën.

Kurti është treguar jashtëzakonisht i kujdesshëm në qasjen ndaj Listës Serbe dhe kryetarit të saj, Goran Rakiç, i cili në shumë raste dhe publikisht e ka sfiduar kryeministrin. Por, çuditërisht, Kurti është kthyer në mbrojtës të tij. Çuditërisht, Kurti ka inkurajuar ministrin Goran Rakiç për të qëndruar në barrikadat që strukturat paralele serbe i vendosnin në veri të Kosovës.

Ministri në Qeverinë e Kurtit, Rakiç ka qëndruar në ballë të barrikadave që ishin vendosur në shtatorin e vitit 2021 në rrugët e veriut të Kosovës për të kundërshtuar zbatimin e vendimit të Qeverisë për target e automjeteve. Ai, ka prezantuar para mediave kërkesat e njëjta me ato që prezantoheshin edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Megjithëkëtë, Kurti bëhej sikur nuk po e vërente sjelljen e Rakiçit dhe nuk bëntë zë. Sjelljen e tij të hapur kundër vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, Kurti nuk e ndëshkoi asnjëherë, por përkundrazi, e inkurajoi atë.

“Me atë çfarë di unë dhe çfarë më ka thënë, ai është kujdesur që situata të mos tensionohet, andaj edhe nuk do të marrë masa ndaj tij”, deklaronte Kurti më 22 shtator 2021.

Këtë argument ka filluar ta përdorë vetë Rakiç për të arsyetuar prezencën e tij në barrikada nga ku ai paraqet qëndrime krejtësisht në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës. “S’kam lexuar që jam ministër i barrikadave, por jam gjithnjë i pranishëm aty me të vetmen arsye që ta ruaj paqen, paqen dhe vetëm paqen dhe të mos lejohë të ndodhë asnjë incident”, deklaroi Rakiç për mediat kosovare më 4 gusht 2022, vetëm pak ditë pasi kundërshtoi hapur vendimin e Qeverisë Kurti për të zbatuar dy vendime të reciprocitetit me Serbinë.

Kurtit i është kërkuar në jo pak raste shkarkimi i ministrit të tij, por ai ka thënë se nuk do të marrë ndonjë masë për “Paqeruajtësin” e tij.

Sidoqoftë, mes Kurtit dhe Vuçiqit, ministri Rakiç ia ka dalë që prej vitit 2020 kur Vetëvendosje erdhi në pushtet, të qëndrojë i palëkundur në Qeverinë që drejtohet nga Kurti./Demokracia.com/