Escobar ia rrëzon “vetë-menaxhimin” Kurtit: Asociacioni, marrëveshja kryesore që duhet zbatuar

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi se marrëveshja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe ajo e njohjes së simboleve kombëtare dhe e ID-ve, sipas tij, janë kryesoret që duhet zbatuar nga Kosova dhe Serbia.

Ai këto deklarime i ka bërë në një konferencë me gazetarë përgjatë së hënës. Escobar, ndryshe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po e quan “vetë-menaxhim” të komunitetit serb, për Asociacionin ka thënë se është marrëveshje ligjërisht obligative, shkruan Demokracia.com.

“Të dyja palët kanë detyrime ligjërisht të detyrueshme që duhet t’i përmbushin. Nga ana serbe, është fillimi i njohjes së disa dokumenteve të Serbisë – Kosovës dhe simboleve të tjera kombëtare dhe ID-ve, si dhe gjërave të kësaj natyre. Për Kosovën, është e rëndësishme që ata të fillojnë hartimin e versionit të tyre të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por ka edhe shumë detyrime të tjera, por mendoj se ato janë më të rëndësishmet”, deklaroi ai.

“Ideja se si do të duket Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk i takon Shteteve të Bashkuara; i takon popullit të Kosovës, në bisedën me Serbinë. Por besimi ynë është se duhet të jetë një i tillë që u shërben interesave të popullit të rajonit, që funksionon mirë për të dyja palët, që u mundëson serbëve etnikë të marrin pjesë plotësisht në jetën qytetare dhe demokratike të Kosovës, por edhe një që nuk cenojnë strukturën kushtetuese të Kosovës apo ndikojnë në funksionalitetin e saj”, ka vijuar ndërmjetësi i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Ai ka thënë se nënshkrimi nuk ishte çështja kryesore në Ohër.

“Pra, nënshkrimi nuk ishte çështja; ishte detyrimet që të dy vendet i pranuan vullnetarisht. Dhe përsëri, mirëkuptimi, mirëkuptimi i qartë nga të dyja palët, se çfarë pritej dhe çfarë do të merrte secila palë. Pra është një marrëveshje në çdo aspekt”, vijoi ai.