Energji elektrike

Erërat e forta kanë lënë pa rrymë shumë vende, nuk ka dëme tjera

Erërat e forta që kanë përfshirë Kosovën mbrëmjen e djeshme, kanë shkaktuar dëme në rrjetin elektrik duke lënë pa energji shumë vende. Si pasojë e erës edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar që shumë shtylla të jenë të dëmtuara, e përçues të këputur.

Përveç dëmeve që u shkaktuan në rrjetin elektrik gjithandej Kosovës, deri më tani institucionet e shërbimeve emergjente kanë thënë se nuk ka dëme të tjera materiale.

Për më shumë se pesë orë pa energji elektrike kishin mbetur banorët e Komunës së Obiliqit. Banori i kësaj komune Sabri Miftari, thotë se ndërprerja e energjisë çdo herë kur ka erëra po bëhet e padurueshme.

Ai thotë se nëse vazhdohet kështu, gjatë dimrit do kenë shumë probleme.

Kurse, banori tjetër i kësaj komune, Selim Krasniqi, thotë se në lagjen ku ai banon ndërprerje të rrymës ka pasur për 3 orë.

Krasniqi shprehet se në këtë komunë çdo herë kur ka erëra ka ndërprerje të energjisë elektrike, e kjo sipas tij, për shkak të rrjetit të vjetëruar.

Se në këtë komunë nuk ka pasur dëme të tjera përveç atyre në rrjetin elektrik, e ka thënë edhe drejtori për shërbime publike dhe emergjencë, Naim Miftari.

Sipas tij, në disa fshatra të kësaj komune ka pasur dëmtim të shtyllave elektrike, por që ai shprehet se janë rregulluar mbrëmë.

Në anën tjetër, Komandanti i Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve për rajonin e Prishtinës, Latif Zeka, për KosovaPress ka thënë se gjatë ditës së djeshme nuk kanë pasur ndonjë thirrje për intervenim.


Megjithatë, ai thotë se për raste të tilla janë gjithmonë në gatishmëri.

Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala, ka bërë të ditur se si pasojë e erërave të forta ka pasur një varg prishjesh në rrjetin elektrik, por që ai shprehet se ekipet në terren i kanë sanuar disa nga dëmet.

Buzhala ka bërë të ditur se KEDS ende nuk ka përpiluar raport të detajuar për të ditur dëmet që janë shkaktuar. Madje ata nuk kanë informacione se sa orë qytetarët e Kosovës kanë qenë pa energji elektrike.