Erdogan: Turqia do të vazhdojë të kërkojë për naftë e gaz në Mesdhe

Turqia do të vazhdojë të kërkojë për naftë dhe gaz në Mesdheun lindor, ka deklaruar të premten presidenti turk Tayyip Erdogan.

Komenti i tij mund të ringjallë tensionet e Turqisë me Bashkimin Evropian dhe Greqinë, pikërisht në kohën kur po bëheshin përpjekje që të riparohen marrëdhëniet e acaruara.

Turqia ka mosmarrëveshje me anëtarët e Bashkimit Evropian, Greqinë dhe Qipron, në lidhje me burimet e energjisë dhe juridiksionin në këtë rajon, ndërkohë që tensionet u ndezën edhe më shumë vitin e kaluar kur marinat e Turqisë dhe Greqisë kishin vendosur eskortat në Mesdhe për të kërkuar burime të energjisë.

Duke folur në provincën veriperëndimore të Sakaryas, Erdogani tha të enjten se Turqia ka marrë sinjale për “gaz natyral” në Mesdheun lindor dhe se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e saj në rajon.

“Çfarëdo të jenë të drejtat tona, ne do t’i marrim një ditë ato. Dhe ne do të vazhdojmë operacionet e kërkimit në Mesdheun lindor, Qipro dhe në të gjitha ato dete”, ka deklaruar Erdogan duke mos dhënë afate kohore për këto veprime.

Liderët e Bashkimi Evropian patën kërcënuar Ankaranë me masa ndëshkuese për përpjekjet e saj për të eksploruar për burime të energjisë, mirëpo më vonë i kishte ngrirë këto plane, pasi Turqia tërhoqi një anije kërkimore nga ujërat e kontestuara. Që nga ajo kohë, Ankaraja zyrtare ka punuar për t’i rregulluar raportet me BE-në dhe Athinën.

Deklarata e Erdoganit lidhur me kërkimet e Turqisë në ujërat e Mesdheut ka ardhur vetëm një javë pasi Bashkimi Evropian kishte premtuar 3,5 miliardë euro për Turqinë, që të vazhdojë t’i mbajë refugjatët sirianë deri në vitin 2024.