Erdogan sulmon kryeministrin izraelit: O Netanjah, sillu mirë! Je tiran që masakron fëmijët 7-vjeçarë palestinezë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan lëshoi një “lumë” akuzash ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

“O Netanjah, sillu mirë! Je tiran! Je një tiran që masakron fëmijët 7-vjeçarë palestinezë”, tha kreu i shtetit turk.

Më tej, Erdogan ka sjellë edhe argumente fetare kundër hyrjes së forcave izraelite në vendet e shenjta myslimane. “Mos na provokoni. Nuk do të biem në kurthin tuaj. Ne nuk kemi bërë të njëjtën gjë me sinagogat tuaja, e as kemi shtypur besimtarët hebrenj”, ka thënë Erdogan.

Tensionet mes Turqisë, si mbrojtëse e palestinezëve, dhe Izraelit janë shfaqur në një retorikë më të ashpër se kurrë orët e fundit, ku dy udhëheqësit kanë lënë mënjanë çdo etikë dhe parimet e diplomacisë.

Shkëmbimi i etiketimeve në distancë nisi pas një deklatate të kryeministrit izraelit, ku Izraelit iu referua si komb-shtet i popullit hebre, gjë që në Ankara u interpretua si racizëm i paturp. Këtyre akuzave, nga Jeruzalemi iu përgjigj Netanyahu, me fjalët se Erdogan është një diktator që sulmon demokracinë në Izrael, ndërkohë që në vendin e tij, burgjet po mbushen me gazetarë dhe gjykatës.