Erdogan nis vizitën tri-ditore në Ballkan, anashkalon Kosovën

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka arritur të premten në Sarajevë të Bosnjës, për një vizitë tri ditore në disa vende të Ballkanit.

Gjatë kësaj vizite, Erdogani do të zhvillojë takime me liderët e Bosnjës dhe Malit të Zi, me të cilët do të diskutojë kryesisht për tregtinë dhe investimet.

Mediat turke kanë raportuar se presidenti turk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të një xhamie në Sarajevë, e cila është restauruar nga Drejtoria e Përgjithshme Turke për Fondacionet.

Raportohet po ashtu se Erdogani do të takohet me anëtarë të presidencës boshnjake e po ashtu do të marrë pjesë në dasmën e vajzës së Bakir Izetbegoviq, që është lideri i partisë kryesore boshnjake, Partia e Aksionit Demokratik (SDA)

Siç kanë njoftuar mediat turke, në mesin e çështjeve të cilat Erdogani do t’i diskutojë gjatë qëndrimit të tij në Ballkan, do të jetë edhe autostrada Sarajevë-Beograd, që njihet si Projekti i Paqes.

Turqia është zotuar të financojë këtë projekt, por ndonëse puna në Serbi ka nisur, në Bosnjë nuk ka nisur të ndërtohet ende asgjë për autostradën.

Erdogani do të qëndrojë të shtunën në Mal të Zi ku do të takohet me zyrtarë qeveritar të këtij shteti e po ashtu me liderë të komunitetit shqiptar dhe atij bosnjak atje.