Erdogan mbërrin në Rinas, pritet nga kryeministri Rama

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Aeroportin “Nënë Tezera” për një vizitë një ditore.

Avioni me të cilin udhëtoi presidenti, është ulur me 1 orë vonesë në pistën e Rinasit. Erdogani u prit me ceremoni në Rinas, ku është i pranishëm kryeministri Edi Rama. Forcat  të shuma policie ndodhen në aeroportin e Rinasit për ruajtjen e sigurisë. Në hyrje të aeroportit ndodhen edhe të rinj nga Shkupi për të mirëpritur presidentin turk.

09:06-Agjenda e presidentit Erdogan në Shqipëri

Ndalesën e parë do e ketë në Laç, aty ku qeveria turke ka ndërtuar 524 apartamente pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Erdogan do marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të banesave të ndërtuara nga qeveria turke. Po në Laç, presidenti turk do të marrë pjesë në ceremoninë e emërtimit të sheshit të qytetit me emrin e tij. Takimet më pas do të zhvendosen në kryeqytet ku në orën 13:00 do të zhvillohet takimi mes kryeministrit Rama dhe presidentit Erdogan.

Në orën 15.00 do të nënshkruhen 7 marrëveshje, memorandum mirëkuptimi dhe protokolle bashkëpunimi në fusha të ndryshme, për t’i lënë vendin më pas konferencës për shtyp mes dy liderëve. Në orën 16.00, Erdogan do te marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në kryeqytet. Mbylljen e vizitës një ditore në Shqipëri, Erdogan do ketë në hapjen e sesionit të ri parlamentar, ku do të ketë një fjalë përshëndetëse.