Epilogu i rastit “Drenasi” që tronditi Kosovën – akuzat dhe dënimet që iu dhanë 3 arsimtarëve, policit dhe avokatit

Në vitin 2017 vendi ishte tronditur nga historia e një 16-vjeçare nga Drenasi, e cila u keqpërdor seksualisht nga disa persona të ndryshëm. Në mesin e tyre 3 arsimtarë, një polic dhe një avokat. Pas katër vitesh Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtorë 6 persona, teksa njëri është liruar nga akuzat.

Rasti “Drenasi” është rikthyer sot në vëmendje, kur gjykata shpalli fajtorë zinxhirin e burrave, të përfshirë në abuzim seksual të një të miture.

Shkelzen Xhekaj, 40 vjeç, profesor i lëndës Teknologji Informative në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Drenas, Vesel Veseli, 49 vjeç, Rreshter Policor në Stacionin Policor Drenas, Gazmend Halilaj, 37 vjeç, avokat, F.C, 59 vjeç, profesor i Artit Figurativ, I.R, 59 vjeç, profesor i lëndës Edukatë Qytetare në shkollën e mesme në Drenas dhe punëtori i Qendrës për Punë Sociale H.H, 58 vjeç janë personat që akuzoheshin, e sot morën dënimin për keqpërdorim seksual të vajzës, në periudha të ndryshme kohore.

Në aktakuzën e publikuar para disa viteve në media, thuhej se “nga ekzaminimi i telefonit të të miturës padyshim se vërtetohen lidhja e saj me të pandehurit Vesel Veseli dhe Gazmend Halilaj, por edhe të pandehurit tjerë”.

Polici Vesel Veseli, i cili u dënua me katër vjet burgim, në deklaratën e tij pranonte që ka pasur marrëdhënie seksuale me të miturën, por thotë që kjo është bërë me vullnetin e saj. Ndërsa kur është pyetur nëse e ka detyruar të miturën të abortonte, ai e ka mohuar pasi shprehet se ai nuk e ka dërguar asnjëherë afër ordinancës dhe nuk i ka dhënë para për të paguar abortin.

Prokuroria thoshte për avokatin Gazmend Halilaj, që u dënua me dy vjet burgim, se shihet afërsi ndërmjet tyre e ku herë pas here viktima i dërgon edhe fotografi, nudo duke e përfshirë edhe fotografi të organit gjenital të saj.

Prokuroria vë në dukje se ka hasur në audio-incizime kur avokati i thotë viktimës se do të kenë marrëdhënie seksuale në zyre.

Në aktakuzë flitej edhe për dy profesorët e tjerë, të cilë sot u dënuan me me burg në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite me kusht që në afat prej 3 (tre) viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

“Sa i përket të pandehurve F.C dhe I.R edhe këtu nuk ka kurfar dileme se e njëjta ka qenë në lidhje me ta,me të akuzuarin F.C në lidhje edhe ma të ngushtë, sepse vet fotografitë nudo që janë gjetur në telefonin e saj flasin për të gjitha,e këtë lidhje të tyre e vërteton edhe një bisedë telefonike që e kanë bërë tash krejt vonë… Sa i përket të pandehurit I.R prokuroria thotë “ka mjaft prova se edhe ky e ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet ,sepse as ky sikur edhe profesorët tjerë nuk kanë guxuar me ra në atë nivel dhe me bë asi komunikimesh me nxënësen e vet”.

Ndërsa për profesorin Shkelzen Xhekaj, i cili u dënua me katër vjet e gjashtë muaj, në aktakuzë thuhej:

“Që nga muaji shtator i vitit 2016 e deri më 9 shtator 2017, duke qenë në cilësinë e profesorit të lëndës teknologji informative, në gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Gllogoc, e ku edhe e dëmtuara i ka vijuar mësimet, e keqpërdor pozitën dhe autoritetin apo profesionin e tij ligjor ndaj të dëmtuarës nxënëses së tij AG, e cila ishte në mes moshës gjashtëmbëdhjetë (16) dhe  tetëmbëdhjetë (18) vjet, në atë mënyrë që përmes rrjetit social “Facebook” bënë kërkesë për shoqërim, e pastaj i jep komplimente të ndryshme të dëmtuarës, me fjalët: “je e bukur, fotogjene”, pastaj pas shumë insistimeve në një mbrëmje dalin  dhe takohen në afërsi të një autolarje në fshatin Poklek i Ri dhe pasi e dëmtuara hynë në veturën e të pandehurit “Opel Corsa”, shkojnë në afërsi të stadiumit “Rexhep Rexhepi” në Gllogoc,  ku në ulëset mbrapa të kësaj veture, pa dëshirën e të dëmtuarës, me të njëjtën ka pasur marrëdhënie seksuale, kjo edhe ka qenë marrëdhënia e parë seksuale e saj, e më pastaj vazhdojnë dhe takohen edhe herave tjera edhe nëpër vende dhe motele të ndryshme si në motel “B****” në Fushë Kosovë, por edhe motele tjera dhe vende të hapura në natyrë,ku gjithashtu  ka vazhduar të ketë marrëdhënie seksuale dhe kjo ka zgjatur deri më 9 shtator të vitit 2017, kur i pandehuri i kishte thënë të dëmtuarës se ma nuk do të jen bashkë, për çka e dëmtuara nga mllefi dhe zhgënjimi ka vendosur që me datë 14.09.2017, ta lajmëroj rastin në polici”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Polici Veseli, që supozohej ta mbronte viktimën është prej abuzuesve kryesorë të saj.

“Në shtator të vitit 2017, në cilësinë e Udhëheqësit në Njësinë e Hetimeve në Stacionin Policor në Gllogoc e ka keqpërdor pozitën apo autoritetin e tij mbi viktimën e cila ka qenë midis moshës gjashtëmbëdhjetë (16) dhe tetëmbëdhjetë (18) vjet, në atë mënyrë që, derisa e dëmtuara atëherë e mitura A. G. e datëlindjes 19.06.2000, ka shkuar në Stacion Policor në Gllogoc, për ta lajmëruar rastin si në diapozitivin I të kësaj Aktakuze, i pandehuri ka përfituar nga ky rast duke i siguruar informatat paraprake për të dëmtuarën dhe derisa të dëmtuarën e dërgon atë natë në shtëpi bashkë me një koleg të tij e siguron numrin e telefonit të saj dhe më pastaj ka filluar komunikimet në “ Facebook “ me të dëmtuarën dhe e ka kushtëzuar që të dalin dhe takohen dhe kur e dëmtuara ka dal për herë të parë të takohet me të pandehurin,  ai e ka marrë me veturën e tij “Mercedes”, ngjyrë hiri, me targa të regjistrimit 01-***-GL, e ka dërguar në motelin “Celi”në Suharekë, ku janë vendosur në dhomën nr. 5, në katin e –I- të këtij moteli dhe aty pa dëshirën e të dëmtuarës, e ka detyruar që të ketë marrëdhënie seksuale me atë, kurse lidhja e tyre ka vazhduar deri në nëntor të vitit 2018 dhe në të shumtën e rasteve kanë shkuar në të njëjtin motel dhe gjithmonë kanë kryer marrëdhënie seksuale, por kanë shkuar edhe në vende tjera të ndryshme si në Shqipëri, ku kanë qenë së paku tri herë dhe atë në Tiranë, Patok, Kalanë e Rozafës, Elbasan e tjerë, e ku edhe atje kanë kryer marrëdhënie seksuale gjithnjë pa dëshirën e të dëmtuarës”, thuhet në aktakuzë.

“I pandehuri Vesel Veseli, në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënësisë  dhe pa dëshirën e të dëmtuarës A. G. e datëlindjes 19.06.2000, e ka shtytë që ta ndërpret shtatzënësinë, ashtu që kur në fillim të muajit janar të vitit 2019 e dëmtuara i ka thënë të pandehurit se po dyshon se ka mbet shtatzënë me atë, ai bashkë me të dëmtuarën kanë vizituar ordinancën private gjinekologjike “Cestrina” në Prishtinë, me pronar Dr. Fehmi Ahmeti, ku me datë 12.01.2019, pas kontrollit që i është bërë të dëmtuarës është konstatuar se ajo ka mbet shtatzënë dhe është në javën e tetë dhe pasi i pandehuri e ka kuptuar për këtë nga ai moment, por edhe në vazhdimësi përmes telefonit  ka filluar të bëjë presion tek e dëmtuara që ta ndërpret shtatzëninë duke i thanë se “nëse nuk e ndërprenë ai ka me e mbyt veten”, për çka e dëmtuara me datë 15.01.2019, bashkë me të pandehurin ka shkuar sërish në ordinancën në fjalë, dhe aty pa dëshirën e saj ka bërë ndërprerjen e shtatzënësisë duke abortuar, për të cilin shërbim ka paguar 230€, të cilat të holla paraprakisht e dëmtuara i kishte marrë nga  i pandehuri Vesel Veseli”.

Profesori 59 vjeçar i përfshirë në skandal është F.C., i ka dërguar fotografi nudo të tij viktimës duke i shprehur edhe komplimente tejet banale.

“Gjatë vitit shkollor 2017/2018, duke keqpërdorë pozitën apo autoritetin e tij mbi viktimën – nxënësen e vet tani të dëmtuarën A.G. të datëlindjes 19.06.2000,e cila ishte midis moshës 16 dhe 18 vjet dhe i është besuar atij për edukim, të njëjtën e cyt për qëllime seksuale,  në atë mënyrë që si profesor  i lëndës Art figurativ në SHMU “Rasim Kiqina” në Gllogoc, është afruar aq shumë me të dëmtuarën  ku pas shoqërimit në “Facebook” ka filluar ti jap të njëjtës komplimente duke i thënë  “je e bukur, je kralicë, me mujt të kisha lëpi si sheqerin e të kisha shkri, ta ha p…., a po dalim se jam në formë” dhe i ka dërguar edhe fotografi nudo të tij të cilat janë gjetur në telefonin e të dëmtuarës pas ekzaminimit që i është bërë.

59 vjeçari tjetër, I.R., ka arritur të përshtatet me kohen aktuale duke i dhënë komplimente viktimës: je princeshë, je e bukur, shpirt, llokum, fotogjene dhe gjentëllmene, ku po dalim dhe takohem.

“Gjatë vitit shkollor 2017/2018, duke keqpërdorë pozitën apo autoritetin e tij mbi viktimën – nxënësen e vet tani të dëmtuarën A.G. të datëlindjes 19.06.2000, e cila ishte midis moshës 16 dhe 18 vjet, dhe i është besuar atij për edukim ku të njëjtën e cyt për qëllime seksuale,  në atë mënyrë që si profesor  i lëndës “Edukata Qytetare” në gjimnazin “Gjergj Kastrioti” në Gllogoc, është afruar aq shumë me të dëmtuarën ku pas shoqërimit në “Facebook”, ka filluar ti jap të njëjtës komplimente duke i thënë “je princeshë, je e bukur, shpirt, llokum, fotogjene dhe gjentëllmene, ku po dalim dhe takohem” e më pastaj edhe i shpreh ndjenja dashurie duke i thanë njëri tjetrit “të dua shumë, puq, mpuq puq, okej zemër shihem nesër” etj.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së mitur nga Drenasi.

Gjykata ka shpallur fajtor policin Vesel Veseli për veprën penale “Keqpërdorim seksual”, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 viteve.

Fajtor për veprat penale “Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin” dhe “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës” është shpallur edhe arsimtari Shkelzen Xhekaj. I njëjti është është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite e 6 muaj.

Ndërsa, avokati Gazmend Halilaj është shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorim seksual” dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Njoftimi i plotë i Gjykatës:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin  kundër të akuzuarve SH.XH, V.V, G,H., F.C, I.R, G.Z dhe H.H.

I akuzuari Sh.XH. është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe veprën penale Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës nga neni 240 të KPRK-së dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 6 (gjashtë)  muaj.

I akuzuari V.V. është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe veprën penale Shtytja në ndërprerjen e shtatëzanisë nga neni 184 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 32 të KPRK-së, dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) viteve.

I akuzuari G.H. është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.3 pika 1.3 të KPRK-së dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve.

I akuzuari F.C. është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë  pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe është gjykuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite me kusht që në afat prej 3 (tre) viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

I akuzuari I.R. është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite me kusht që në afat prej 3 (tre) viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

I akuzuari G. Z. Konfom nenit 364 par.1 pika 1.3 lirohet nga akuza për veprën penale Frikësimi gjatë procedurës nga neni 395 të KPRK-së.

Ndaj të akuzuarit H.H. konform nenit 363 par.1 nën par.1.1 gjykata ka marrë aktgjykim refuzues për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.