Kandidati për kryeministër i PDK’së, Enver Hoxhaj ka folur lidhur me idenë ku Kosova mund të përfundojë brenda një konfederate me Shqipërinë.

Ai ka thënë se Kosova nuk mund të qëndrojë në pafundësi si një shtet i pa përmbyllur.

“Duhet çdo kush ta kuptojë në rajon dhe Evropë se ne nuk mund të qëndrojnë në pafundësi një shtet i pa përmbyllur”, është shprehur Hoxhaj.

Kjo deklaratë është e ngjashme me atë të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se duhet union (konfederatë) me Shqipërinë, nëse Evropa nuk lëviz në drejtim të njohjes së Kosovës.

Hoxhaj tutje tha se një ekziston mundësia që Kosova të përfundojë në konfederatë me Shqipërinë.

“Mundësia e një konfederate duke e ruajtur shtetësinë tonë. Konfederatë me Shqipërinë. Kjo është temë që do duhej të diskutohej përtej debatit zgjedhor. Temë që do duhej të diskutohej më shtruar”, ka thënë Hoxhaj në T7.

Ai gjithashtu sqaroi se mundësia e bashkimit me Shqipërinë është opsion sekondar.

“Derisa të kemi Administratën Biden, Administratën Merkel dhe Brukselin, unë mendoj se ky duhet të jetë opsioni i parë, pra për t’u anëtarësuar në OKB. Konfederata me Shqipërinë duhet të shqyrtohet si opsion sekondar”, shtoi Hoxhaj.