Enver Hoxhaj: Deri në ditën e pashmangshme të lirisë – edhe 100, kryetar Kadri Veseli

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ia ka uruar ditëlindjen ish-kryetarit të kësaj partie, Kadri Veselit, i cili tani po gjykohet në Hagë nën dyshimin për krime të luftës.

Hoxhaj nëpërmjet një postimi në Facebook, shkroi se në periudha të rëndësishme historike, disa persona i zgjedh fati, e disa të tjerë e zgjedhin vetë fatin e tyre.

“Kadri Veseli është prej këtyre të dytëve. Qysh në vitet 90-ta, kur kishte kapërcyer murin e shtëpisë për të takuar fshehurazi prindërit e tij, Kadriu e kishte ndarë mendjen e zemrën se të gjitha pranverat tjera do t’ia kushtoj Kosovës”, shkroi Hoxhaj.

“Tani, thuajse 30 vite më vonë, nuk ka ditë e zhvillim në Kosovën e lirë dhe të pavarur që nuk mbanë firmën e Kadriut. Në aktivitet e organizim të UÇK-së, në luftë e udhëheqje të saj drejt çlirimit, në liri e angazhim për pavarësi, në forcim e siguri të shtetit të Kosovës, Kadriu dha gjithëçka nga vetja. Edhe sot, në Hagë, Kadriu me shokë po ia bëjnë edhe një argat Kosovës sepse ai nuk di ndryshe. Për Kosovën, dhimbjen e tij të fëmijërisë, ëndrrën e tij të adoleshencës e idealin e tij prej burri, Kadriu nuk ka njohur as frikën e as mortin.”