Emin Behrami ngre kallëzim penal, thotë se Naim Tërnava i ka vjedhur 300 mijë marka

Teologu nga Vushtrria, Emin Behrami, pretendon që kreu i BIK-ut, Naim Tërnava, i cili gjatë vitit 2002 ushtronte pozitën e kryetarit të Kuvendit të BIK-ut, ka vjedhur një shumë prej 300 mijë markash.

Për këtë vetë Behrami ka dorëzuar një kallëzim penal, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Emin Behrami në kallëzimin e ngritur thotë që vetë Tërnava e kishte pranuar para Këshillit, se i kishte nxjerrë personalisht ato mjete nga banka, për të cilat më vonë kishte thënë se i kishte futur në buxhetin e medresesë “Alaudin”.

Sipas tij, për një veprim të tillë Tërnava nuk kishte pasur kurrfarë mbulese.

Behrami thotë se përveç tjerash është e palejueshme që të nxjerrësh një sasi të madhe parash, për t’i dërguar në arkën e medresesë “Alaudin”, e cila nuk kishte kurrfarë sigurie.

Sipas Behramit, një veprim i tillë i Tërnavës është kriminal dhe thotë që për një gjë të tillë ai asnjëherë nuk është ndjekur nga drejtësia.

“Edhe më keq se kjo, Tërnava në prag të shpalljes së vetvetes si myfti i BIK-ut në vitin 2002, i vodhi 300.000 DM (treqind mijë marka gjermane), për fatin e të cilave kurrë nuk u njoftuan myslimanët, ndërsa këtë veprim kriminal ai e ka pranuar publikisht. Ato humbën në pikë të ditës, ndërsa kurrë nuk u ndoq, sepse ishte kryetar i Kuvendit të BIK-ut dhe drejtor i Medresesë, vepër penale kjo të cilën ia paraqita organeve kompetente të shtetit, me propozim që pas hetimit të rastit, kryetarin Tërnava ta dënojnë sipas ligjit. Më gjerësisht lexoni Kallëzimin penal”, ka shkruar Behrami në profilin e tij në Facebook.