Sipas trajnerit të Arsenalit, Unay Emery, futbollisti i huazuar te Hoffenheimi, Reiss Nelson do të kthehet në fund të sezonit te “The Gunners” me më shumë vetbesim.

18 vjeçari që është produkt i akademisë së Arsenalit iu bashkua klubit gjerman gushtin e kaluar në një marrëveshje që përfshin huazimin e tij 1 vjeçar, ndërsa e ka filluar aventurën te Hoffenheimi në mënyrë të mrekullueshme duke shënuar 5 gola në 6 paraqitje në Bundesliga, gjersa numëron edhe dy paraqitje në Champions League.

Emery nuk synon ta rikthejë Nelsonin në “Emirates” para se të përfundojë sezoni, teksa tha se kjo përvojë do t’i ndihmojë shumë talentit anglez.

“Reiss mund të marrë më shumë përgjegjësi dhe vetbesim duke luajtur shpesh. Objetiv i tij është të rikthehet te ne duke u rritur nga përvoja aktuale. Nga përvoja ime personale në Spanjë dhe Francë mund të them se huazimet mund të sjellin shumë përfitime. Jemi të lumtur me Nelsonin dhe e përcjellim çdo fundjavë ndërsa presim shumë nga ai për të ardhmen”, u shpreh Emery.

Barazimi i fundjavës së kaluar ndaj Liverpoolit e ka dërguar në 14 ndeshje serinë e londinezëve pa humbje, por trajneri spanjoll kërkon t’i fitojë ndeshjet e mëdha në mënyrë që të konsiderohen kandidat për titullin në Premier League.

“Secila ndeshja na jep informacione në lidhje me përmirësimin tonë. Kundër Liverpoolit zhvilluam ndeshje të mirë por nuk është e mjaftueshme. Nëse vazhdojmë të përmirësohemi do të jemi më afër t’i mposhtim skudrat si Liverpooli”, përfundoi Emery.