Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arianit Elshani, ka reaguar pasi që KQZ-ja në mbledhjen e mbajtur të premten ka vendosur që votimi për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të mbahet më 21 prill.
Sipas tij me këtë vendim KQZ-ja “nga një institucion i pavarur kushtetues, sot u shndërrua në një agjenci të Presidencës, MAPL dhe vegël e pushtetit”
Sipas tij data votimit do duhej të caktohej nga presidentja e vendit e assesi nga KQZ-ja.
“Vendimi i sotëm është në Kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligjit për Zgjedhjet Lokale, Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe mandatin Kushtetues të KQZ-së”, ka shkruar Elshani në Facebook.
PDK-ja ka abstenuar në votimin për vendosjen e datës së votimit.
Përfaqësuesi i kësaj partie, Ilir Gashi, në mbledhjen e së premtes ka thënë se KQZ-ja është vetëm institucion administrues i proceseve zgjedhore dhe nuk është në kompetencën e saj “që të shpallë zgjedhje”.
“Unë jam që raportin nëse e ndajmë nga rekomandimi ta votojmë t’ia përcjellim MAPL-së kryesuesve dhe Presidencës, se kjo është çështja faktike. Unë jam pro raportit por që datë për mbajtjen dhe remizimin e këtij procesi zgjedhor do të duhej të shpallej nga presidentja dhe ne pastaj do të marrim pjesë në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi”, është shprehur Gashi.







