Elmi Reçica nuk pranon të tregojë nëse Glauk Konjufca ka qenë anëtar i SHIK-ut

Të shtunën që sapo kemi lënë, Kuvendi i Kosovës, ka votuar Buxhetin për vitin 2019, ligjin për pagat në sektorin publik, ligjin për dialogun, etj.

Kjo seancë ka zgjatur mbi 15 orësh dhe është cilësuar maratonike.

Gjatë 15 orëve të seancës deputetët foltorën shfrytëzuan edhe për akuza e thumbime ndaj njëri tjetrit, me theks të veçantë grupi parlamentar i PSD-së me atë të LVV-së.

Derisa po votohej ligji për dialogun, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca i është kundërpërgjigjur deputetit të PSD-së, Dardan Molliqajt, duke i thënë se ndërrimin e partive nuk e ka problem tash, meqë sipas tij, zor është vetëm hera e parë.

Kjo e ka nxitur të kundër-reagoi Molliqaj, i cili ka thënë se Konjufca ka qenë edhe anëtar i PDK-së edhe i AAK-së, si dhe anëtar i SHIK-ut për 1 vit.

“Meqënëse flet për ektikë, guxim dhe moral, unë e ftoj me marrë përgjegjësi, e jo mu mshef si shefi i tij. Kallxo qysh ke qenë anëtar i SHIK-ut për 1 vit të plotë”, ka thënë Molliqaj, raporton Ballkani.info.

“Këtë e kam marrë vesh dy javë para se me dalë prej Vetëvendosjes. 1 vit ka qenë në SHIK. Glauku le ta merr guximin dhe le të kallxon qysh ka qenë në SHIK, atëherë nuk ka qenë në VV”, ka thënë Molliqaj.

“Edhe për Devollët flasim ndaq këtu ose seancën tjetër, po ma mirë ndaleni këtu se nuk ju del mirë”, ka thënë në fund Molliqaj.

E përgjigjja e Konjufcës ishte e butë.

“I pranoj pretendimet e Dardanit me një kusht, nëse ka ka naj argument”, ka thënë Konjufca,

Pas këtyre pretendimeve ishte edhe reagimi i deputetit të AAK-së, Daut Haradinajt, i cili ka kritikuar kolegët deputetë se nuk po e respektojnë seancën, duke mos folur për atë që është thirr seanca.

Ai në fjalimin e tij tha se shumë pak kush po ndërlidhet me temën, derisa në seancë po flitet për ligjin.

Sipas tij, ligji për delegacion shtetëror nuk i ka dhënë besim atij, ligji është votu pikërisht në Kuvendin e Kosovës dhe i është dhënë e drejta edhe opozitës për tu bërë pjesë e saj.

“E arritura më e madhe sot është e PSD-së pasi ka arrit sukses qoftë me ligjin për pagat, dialog, e shumë të tjera. Do të ishte shumë e udhës që edhe VV e LDK të jenë pjesë e dialogut, sepse në të do të vendoset për republikën e Kosovës. Nuk po diskutohet këtu a jemi pro apo kundër shkëmbimit të territoreve, e po shoh që ka edhe deputetë që po filtrojnë me presidentin. Nuk i dëgjova a janë pro apo kundër taksës, a janë pro apo kundër dialogut”, ka thënë tutje Haradinaj.

Ai tutje ka komentuar akuzat e disa deputetëve për shërbim ndaj Putinit, duke thënë se një gjë e tillë është shumë e pandershme të thuhet.

Në fund, Haradinaj u ndërlidh edhe me akuzat e deputetëve mes vete se kush ishte pjesë e SHIK-ut.

“E dëgjova Hajdar Beqajn duke thënë se gjysma e kuvendit ishit SHIK , marre ju koftë”- ka përfunduar Haradinaj.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme Ballkani.info ka kontaktuar deputetin nga radhët e PDK-së Hajdar Beqajn, i cili në lidhje me deklarimet për SHIK-un ka thënë se kanë qenë shaka të momentit.

“Nuk ishin deklarime, më shumë ishin shaka të z. Haradinaj pas më shumë se 15 orë seance në parlament, e që nuk kishte të bënte aspak me këtë temë. Unë nuk i di emrat se kush ka qenë në SHIK e as nuk jemi përgjegjës për t’i ditur. Unë për Glaukun as nuk dua të flasë”- ka thënë ndër të tjera Beqaj.

Në anën tjetër Elmi Reçica, deputet në Kuvendin e Kosovës, i kontaktuar nga Ballkani.info nuk ka dashur t’i komentojë pretendimet e Dardan Moqlliqajt nëse Glauk Konjufca ka qenë apo jo pjesë e SHIK-ut.

“Nuk dua të komentoj as Glaukun e as deputetët tjerë”-ka përfunduar Reçica.

Reçica ka qenë zëvendësdrejtor i SHIK-ut, zëvendës i Kadri Veselit. /Ballkani.info/