Elhaida Dani kujton fillimet e saj në Itali, pa para dhe 12 orë e trembur në aeroport

Këngëtarja Elhaida Dani ka arritur suksese të shumta në karrierë.

Ajo është fituese e një prej edicioneve të “The Voice of Italy”, gjersa ka prekur edhe “Eurovision”-in, duke përfaqësuar Shqipërinë në vitin 2015.

Viteve të fundit, këngëtarja shkodrane ka pushtuar teatrot botëror me shfaqjen shumë të suksesshme “Notre Dame De Paris”, ku ajo është protagoniste kryesore.

Mirëpo pavarësisht sukseseve, fillimet ishin shumë të vështira për të.

Në një intervistë të fundit për “Class”, Elhaida ka rrëfyer për vështirësitë me të cilat ishte përballur herën e parë kur kishte ateruar në Itali, si 19-vjeçare.

Ndër të tjerash, ajo rrëfeu se si kishte pritur plot 12 orë në aeroporte vetme dhe e trembur, kjo pasi fillimisht i ishte ndaluar hyrja në këtë shtet.

“Isha 19 vjeç kur u nisa për të marrë pjesë në ‘TVOI’ në 2013-ën. Mbaj mend që kur avioni mbërriti në Romë dhe ndalova në doganë për kontrollin e pasaportave më pyetën se sa lekë kisha me vete, unë përgjigjem duke thënë se kisha me vete një shumë qesharake pasi në atë kohë ajo ishte mundësia ime ekonomike. Dhe kështu më ndalojnë të futem në Itali pasi nuk kisha mjaftueshëm para me vete…Mbaj mend 12 orë në aeroport mes policisë, një vajzë e trembur që nuk komunikonte akoma në italisht dhe nuk kishte as mundësinë për të telefonuar familjen për t’i treguar çfarë kishte ndodhur”, tregoi këngëtarja.

Ndërsa tani, ajo ndan një jetë mes Italisë dhe Shqipërisë me sukseset e shumta në rrugëtimin e saj muzikor.

loading…