Elezi: 70 për qind e eprorëve të lartë të policisë, prokurorisë dhe gjyqtarët nuk e vendosin rripin e sigurisë

Ekspert i sigurisë, Bedri Elezi deklaroi se 70 për qind e eprorëve të lartë të Policisë së Kosovës, prokurorë dhe gjyqtarë nuk vendosin rripin e sigurisë.

Elezi këtë deklaratë e bëri gjatë emisionit “Ditari” në Tëvë1 ku pohoi se në momentin që një zyrtarë i Policisë së Kosovës e ndalon ndonjë epror të tij, prokuror apo gjyqtar ka frikë dhe nuk guxojnë të marrin veprime pasi që sipas tij, frikësohen se do të ndëshkohen në një formë.

“Ne e kemi bërë një hulumtim dhe diku rreth 70 për qind e eprorëve të lartë të Policisë së Kosovës, prokurorë dhe gjyqtarë nuk vendosin rripin e sigurisë. Një nga faktet që ne e kemi parë dhe e kemi pa që askush në momentin kur një zyrtar i Policisë së Kosovës e ndalon, madje kemi shumë policë me të cilët kemi biseduar dhe kanë frikë të tregojnë se në momentin kur e ndalë thotë që unë jam prokuror filani dhe absolut asnjë … ose sidomos IPK-ja, personat që janë më së shumti kundërvajtës në trafik dhe absolutisht asnjë policë nuk guxon të marrë veprimin sepse ata në një formë do të ndëshkohen”, tha Elezi në Tëvë1 .

Ai tutje tha se ligji duhet të fillojë të ndryshojë pikërisht nga ata që janë të paguar nga taksat e qytetarëve për zbatim të ligjit.

“Esenca është që nëse duam ne të bindim qytetarin se ka zbatim të ligjit, duhet të fillojmë pikërisht te ata që janë të paguar prej taksave tona për zbatimin e ligjit. Dhe kur flasim për këta duhet të fillojmë nga Policia e Kosovës e cila është hallka e parë e zbatimit të ligjit, pastaj te prokuroria e cila punon në bazë të gjetjeve që i bën policia dhe gjykata e cila dënon në bazë të atyre gjetjeve”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Ekspert i Sigurisë, Bedri Elezi ka folur edhe për sulmet e fundit që kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës gjatë aksioneve në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës në veriun e Kosovës.

Elezi deklaroi se situata në veriun është serioze për arsye se vazhdimisht po ndodhin aktivitete të dhunshme.

“Situata në veriun e Mitrovicës është serioze për faktin se në vazhdimësi, domethënë në mënyrë të sinkronizuar dhe të organizuar kemi aktivitete të dhunshme, qoftë aktivitete të cilat kanë në mënyrë të drejtpërdrejtë çështje politike apo çështje të cilat shtyjnë përpara agjendat e Serbisë apo partnerëve të saj të cilët janë kundër paqes dhe sigurisë në rajon”, tha ai.

Në emisionin “Ditari”, në Tëvë1, Elezi tha se sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri janë mesazh nga strukturat paralele.

“Krimi i organizuar në atë pjesë është një mënyrë i lidhur drejtpërdrejtë me strukturat e sigurisë dhe paralelisht përpos qëllimeve të tyre për të bërë veprime kriminale ekonomike kanë edhe për qëllim dërgimin e mesazhit politik se në atë zonë veprojnë dhe janë përgjegjës strukturat paralele dhe në asnjë mënyrë nuk janë Policia e Kosovës dhe nuk e njohin si strukturë të sigurisë dhe nuk i përgjigjen, po mundohen të tregojnë se ata nuk i përgjigjen asnjë urdhëri, asnjë veprimi të policisë tonë”, tha Elezi.

Sulmi i fundit ndaj Policisë së Kosovës ka ndodhur dje ku kamioni që kontrabandonte mallra, gjatë tentimit për shmangie të ndaljes dhe arrestimit nga policia, godet veturën policore disa herë, rrezikon jetën e drejtpërdrejt të zyrtarëve policorë dhe lëndon pesë prej tyre.