Ekziston një mundësi që finalen e Ligës së Kombeve, Kosova ta luajë në “Fadil Vokrri”

Liga e Kombeve ka mbetur mundësia e fundit për Kombëtaren e Kosovës për të siguruar një vend në Euro 2020.

“Dardanët” u mposhtën 2-1 nga Çekia në Plzen, duke humbur mundësinë e kualifikimit nga faza e rregullt.

Ndeshjet vendimtare tani për Kosovën luhen në muajin mars, kur zhvillohen finalet e Ligës së Kombeve, për të gjitha ligat.

Kosova ndeshjen e parë gjysmëfinale e zhvillon kundër Maqedonisë së Veriut në udhëtim, dhe në rast fitoreje, në finale do të luante me fituesin e sfidës mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.

Ndeshja finale e ligës D, ka një mundësi të luhet në “Fadil Vokrri”, gjithnjë me fitoren e Kosovës ndaj Maqedonisë, por duke shpresuar që Bjellorusia të fitojë në Tbilisi kundër Gjeorgjisë.

Një ‘finale’ në tempullin “Fadil Vokrri”, do të ishte një mundësi e artë për Kosovën, për realizimin e ëndrrës së madhe.

Vlen të ceket se Bellorusia renditet në vendin e 86-të në ranglistën e FIFA-s, ndërsa Gjeorgjia në vendin e 90-të.

loading…