Ekzekutim publik i grave shtatzëna dhe eksperimente në njerëz, raporti i frikshëm i Koresë së Veriut

Koreja e Veriut ka kryer krime të tmerrshme ndaj të drejtave të njeriut, duke përfshirë këtu edhe ekzekutimin e fëmijëve dhe grave shtatzëna.

Sipas një raporti i Koresë së Jugut, vendi diktatorial ka kryer po ashtu eksperimente ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara.

Po ashtu, sipas raportit, Koreja e Veriut ka ekzekutuar qytetarë për shkak të prirjeve të tyre seksuale, fesë apo për shkak të tentativave që mund të kenë bërë për t’u larguar nga vendi.

Raporti i gjerë prej 450 faqesh detajon abuzimet ndaj të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut, duke përfshirë të drejtën për jetë dhe liri, si dhe lirinë nga skllavëria, tortura dhe trajtime të tjera çnjerëzore.


Ai bazohet në dëshmitë e më shumë se 500 koreano-veriorëve që u larguan nga atdheu i tyre dhe u mblodh nga viti 2017 deri në 2022.

Ministria e Koresë së Jugut e zbuloi raportin e saj vjetor për publikun për herë të parë sot me synimin që të hedhë dritë mbi “abuzimet që u bëhen të drejtave të njeriut në Veri.”

Mes dëshmive rrëqethëse të këtij raporti është rasti i një gruaje shtatzënë në muajin e gjashtë që u ekzekutua nga regjimi. Arsyeja për vrasjen e saj u tha se ishte se një video e shpërndarë gjerësisht në të cilën ajo shfaqej duke treguar një portret të të ndjerit Kim Il-sung ndërsa kërcente në shtëpinë e saj.

Po ashtu, në raport tregohet rasti i gjashtë adoleshentëve 16 dhe 17 vjeç që u ekzekutuan me armë zjarri sepse kishin parë video nga Koreja e Jugut.