Një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar është ekstraduar të martën nga Shqipëria në Kosovë.
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në bashkëpunim me njësitet relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin në pikën kufitare në Vërmicë.
Sipas Policisë, personi i dyshuar, shtetas kosovar, ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje” dhe ishte dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim.
Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, personi iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, për procedim të mëtejshëm ligjor dhe dërgim në qendrën korrektuese për vuajtjen e dënimit.
Policia e Kosovës ka thënë se ky ekstradim është realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa ILECU ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale.







