Andin Hoti, ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, ka reaguar lidhur me ekspozitën në shesh të Prishtinës, për Masakrat në Kosovë, ku mes tjerash thuhet se në masakrën e Dubravës janë vrarë 48 shqiptarë të armatosur. Për këtë, Hoti ka thënë se është i papranueshëm ekspozimi i materialeve me pasaktësi, dhe se kjo cenon të vërtetën historike.

Hoti, në reagimin e tij, thekson pasaktësi edhe në masakrën në Krushë të Madhe, duke thënë se aty, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë, gjë e cila, thekson ministri Hoti, nuk qëndron.

‘’ Këto nuk janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme. Si Ministër i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, bëj thirrje për: – Tërheqjen e menjëhershme të materialeve që përmbajnë pasaktësi; – Verifikim institucional të plotë të përmbajtjes së ekspozitave publike për krimet e luftës’’, ka shkruar Hoti mes tjerash.