Publikimi i pamjeve brenda njërës prej depove ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), nga kryeministri Albin Kurti po vlerësohet si veprim “i dëmshëm” dhe “i rrezikshëm”.
Ky akt sipas ish drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, “mund të cenojë sigurinë dhe imazhin e shtetit”.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në një bisedë për Albanian Post thotë se ndonëse ky veprim ka një prirje më të theksuar elektorale ai duhet të jetë i vetëdijshëm që publikimi i pamjeve të tilla nuk i lejohet.
Përveç kësaj, Qalaj potencon që në këtë rast ka edhe shkelje ligjore.
“Kryeministri nuk ka të drejtë të hyjë në depot e FSK-së. Ekzistojnë rregulla strikte për atë se kush dhe në çfarë rrethanash mund të hyjë në këto depo. Mendoj se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe se duhet të hetohet”, thotë Qalaj për AP.
Qëllimet për pushtet, sipas tij, s’duhet që ta lejojnë Kurtin që të harrojë pozitën që posedon.
“Vlerësoj se veprimi i kryeministrit ka më shumë karakter elektoral. Ai po harron se është kryeministër i një vendi dhe se FSK-ja është ushtria e Kosovës. Të gjitha armët dhe pajisjet që zotëron FSK-ja duhet të qëndrojnë në depo dhe të mos shfaqen në publik”.
Ish-kryepolici i Kosovës shton se “kjo gjë e dëmton FSK-në dhe gjithashtu edhe shtetin në tërësi”.
Ndryshe nga Qalaj, mendon njohësi i çështje të Sigurisë, Arben Dashevci.
Sipas tij, veprimi i kryeministrit Albin Kurti, ka për qëllim që t’i qetësojë qytetarët.
Dashevci thotë për AP thotë se vizita e kryeqeveritarit duhet të shihet nga këndvështrimi pozitiv.
“Unë e shoh këtë vizitë si pozitive për shkak të rëndësisë që ka në aspektin e mbrojtjes dhe në përmbushjen e kapaciteteve operacionale. Duke pasur parasysh se kapacitetet operacionale të Ushtrisë së Kosovës po plotësohen me një ritëm më të shpejtë nga sa kemi parashikuar, kjo na jep siguri si qytetarë, për shkak se sfidat janë të mëdha”.
Sipas tij, posti që ka Kurti e lejon vizitën e tij në depot e FSK-së, teksa ka treguar disa nga arsyet.
“Kjo për shkak se është përgjegjës për vendimet që lidhen me investimet e mëtejshme për të mirën e ushtrisë. Institucioni që përfaqëson, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, realizon analiza për të shtuar sa më shumë kapacitetet operacionale, gjithmonë për të mirën e vendit”, deklaron Dashevci për AP.
Të mërkurën, pas dronëve Bajraktar, kryeministri Albin Kurti, ka ekspozuar edhe disa armatime të blera rishtazi për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
I shoqëruar me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Kurti të martën ka vizituar njërën nga depot ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim.
“Ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që jemi duke i bërë për forcën tonë dhe është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë kemi marrë”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.
Ndonëse, FSK-ja është një strukturë e organizuar mirë, për shkak të buxhetit dhe kufizimeve të tjera, qëndron shumë dobët me armatimin e rëndë.
Në vitin 2023, buxheti për FSK-në ka qenë 116 milionë euro, ndërsa për vitin 2024 është rritur në 137 milionë euro.
Për vitin 2025, për FSK-në janë ndarë 208 milionë euro.







