“Ekspertja” Nagavci thotë se Kushtetuesja nuk gjeti shkelje ekzistuese në vendimin për Kamenicën

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka reaguar përsëri rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me riorganizimin në arsimin parauniversitar në Komunën e Kamenicës.

Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës ka gjetur se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që drejtohet nga Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hidhte poshtë reformën e ndërmarrë nga ish kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, shkruan Demokracia.com.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë (MASHTI), përsëri ka reaguar, duke thënë se për këtë vendim, Kushtetuesja nuk kishte gjetur shkelje ekzistuese dhe MASHTI vlerëson se aktgjykimi është i kufizuar.

“Vendimet e nxjerra janë në kundërshtim me legjislacionin dhe standardet ligjore, është rrezikuar shëndeti i fëmijëve dhe në kundërshtim me interesin më të mirë të tyre, është zhvilluar si proces pa pasur konsultim të plotë me palët e përfshira në proces”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e MASHTI-it.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:  

Komunikatë për medie në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO145/21

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me Aktgjykimin KO145/21, që është rezultat i parashtresës së Komunës së Kamenicës, në të cilin është kontestuar Vendimi 01B/24 i MAShTI-it “Për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”.

Rikujtojmë se Vendimi 01B/24 është marrë më 23 prill 2021, me qëllim që t’u mundësohet nxënësve të pesë vendbanimeve të Komunës së Kamenicës kompensimi i pjesshëm i orëve të humbura, si rezultat i mosvijimit të mësimit prej fillimit të vitit shkollor 2020/21. 441 nxënës të moshës 6-14 vjeç nuk e kanë vijuar mësimin për 8 muaj, e më shumë se 100 prej tyre nuk kanë vijuar mësimin për rreth dy vite. Prandaj, me këtë vendim, MAShTI ka konsideruar përmbushjen e obligimin ligjor për t’iu siguruar fëmijëve të mbetur jashtë shkollës të drejtën për shkollim, duke konsideruar se mbrojtja e interesit të fëmijëve bën pjesë në kategorinë e obligimeve parësore.

Pa u ndalur në interpretimin e Aktgjykimit, për shkak të njohjes së funksionit të Gjykatës si interpretues i Kushtetutës, risjellim në vëmendje se situata faktike e krijuar që nga fund-korriku 2021 dhe në vijim, është plotësisht në përputhje me përcaktimin e Aktgjykimit në fjalë, prandaj MAShTI-i nuk ka nevojë të ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të tillë. MAShTI-i konsideron që Aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të jurisdiksionit të saj) të gjendjes së krijuar.

Ne respektojmë Aktgjykimin në plotni, ashtu siç e përcakton shkronja dhe fryma e Kushtetutës. Megjithatë, siç është e vërejtshme edhe në vet dispozitivin e Aktgjykimit në fjalë, aty vetëm ‘deklarohet’ një mospërputhje e një gjendjeje faktike që është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021. Një fakt i tillë është tregues që Aktgjykimi KO145/21 nuk përcakton asnjë mospërputhje kushtetuese që ekziston aktualisht, apo të tillë që do të duhej t’i ndërpritej pasoja juridike (paragrafi 92 i Aktgjykimit).

Pas një analize të të gjeturave të Aktgjykimit, MAShTI-i vëren që ky i fundit e ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të MAShTI-it sa i përket përputhshmërisë së tij me parimet e vetëqeverisjes lokale, vlerësim ky i natyrës kryesisht formale, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së jurisdiksionit në rastin konkret, nuk e ka vlerësuar aspektin e përputhshmërisë së Vendimit 01B/24 me të drejtën në arsim të garantuar me Nenin 47 të Kushtetutës (ndërlidhur me Nenin 2 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Një konstatim të tillë e bën vet Gjykata në paragrafin 126 të Aktgjykimit në fjalë. Rrjedhimisht, vlerësojmë se Aktgjykimi është i kufizuar vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë formale të Vendimit të kontestuar, e jo aspekteve përmbajtësore të ndërlidhura me të drejtën e fëmijëve në arsim sa i përket ofrimit të detyrueshëm të shkollimit fillor për secilin nxënës në mënyrë të barabartë.

Vendimi 01B/24 nga MAShTI-i, ishte ndërmarrë me qëllim të përmbushjes së obligimeve pozitive të shtetit të Kosovës sa i përket të drejtave të fëmijëve në Komunën e Kamenicës në raport me ofrimin e shërbimit të mësimit fillor për nxënësit që kishin mbetur për më shumë se dy vite pa mundësinë e ndjekjes së shkollimit publik. Ne kemi përmbushur një obligim që ishte edhe literalisht i përcaktuar në Nenin 3 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar (‘MAShTI-i, komunat, institucionet arsimore […] [janë të obliguara] që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efikase, efektive, fleksibile, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim […]’). MAShTI-i nuk mund të mos e përmbushte një obligim të tillë pavarësisht faktit që ai mund t’i nënshtrohej kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Pas balancimit të të drejtave dhe detyrimeve të subjekteve të përfshira, mbrojtja e interesit të fëmijëve hyn në kategorinë e obligimeve parësore ligjore. Theksi i shkronjës së ligjit në fjalë ishte eksplicit sa i përket detyrimit tonë për të ndërmarrë masa ndaj kërkesave të nxënësve/prindërve të tyre. Përmbushjen e një obligimi të tillë MAShTI-i e ka bërë pa paragjykim ndaj të drejtës së kujtdo për të kërkuar rishikimin e Vendimit të tillë nga një instancë gjyqësore, që është një proces krejtësisht normal në një demokraci liberale.

Vlen të ceket se lidhur me këtë çështje Avokati i Popullit, më 19 gusht 2020, kishte lëshuar Raport me të cilin ka rekomanduar kryetarin e atëhershëm të Komunës së Kamenicës, dhe ministrin e atëhershëm të Arsimit, të rivlerësojë Vendimin 02 Nr. 26397, datë 30.08.2019, ashtu që riorganizimi i shkollave të bëhet në mbështetje të plotë me dispozitat ligjore dhe në bashkëpunim me MASh-in. Raporti i është drejtuar edhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Ginore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Aty konstatohet se moszhvillimi i procesit mësimor në shkollat e Kamenicës përbënte shkelje të së drejtës për shkollim e përcaktuar me nenin 47 të Kushtetutës. Vendimet e nxjerra janë në kundërshtim me legjislacionin dhe standardet ligjore, është rrezikuar shëndeti i fëmijëve dhe në kundërshtim me interesin më të mirë të tyre, është zhvilluar si proces pa pasur konsultim të plotë me palët e përfshira në proces.

Avokati i Popullit ka konstatuar se sistemi arsimor duhet të jetë i njëjtë në të gjitha komunat, prandaj organizimi i sistemit arsimor mund të bëhet vetëm nga MAShTI dhe në tërë territorin e Kosovës. /Demokracia.com/